18:09

IKSHPK-ja konfirmon: Në Kosovë, asnjë i prekur nga koronavirusi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka bërë të ditur se deri më tash asnjë pacient nuk është i prekur nga koronavirusi.

Në një komunikatë të nisur të mërkurën mbrëma, IKSHPK-ja ka treguar se në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, me metodën rRT-PCR, janë testuar gjithsej 17 mostra të dyshimta në virusin

SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Testimet janë bërë në periudhën nga 8 shkurti e deri më sot.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë ditës së sotme, më 26 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për 6 raste të dyshimta në COVID-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e IKSHPK-së.

11:19

Të dyshuarit me koronavirus në QKUK – një shtetas kinez dhe dy kosovarë të ardhur nga Italia

Tri raste të reja të dyshuara me koronavirus u raportuan sot në QKUK.

Në një përgjigje zyrtare nga QKUK për Koha.net, theksohet se bëhet fjalë për një grua dhe dy burra.

“Një grua 27 vjeçare nga Prishtina, studente në Itali në afërsi të Romës, një burrë 39 vjeçar nga Prishtina, i punësuar në Milano, dhe një shtetas kinez i lindur më 1992 nga Kina, janë rastet e reja të paraqitura sot”, thuhet në përgjigje.

Rezultatet e tyre ende s’janë konfirmuar megjithëse ata janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

10:12

Raste të reja të dyshuara me koronavirus në QKUK

Raste të reja janë raportuar në QKUK lidhur me dyshimet për koronavirus.

Lajmi është konfirmuar për Grupin Koha nga QKUK-ja por nuk janë dhënë detaje.

Për këtë, zyrtarë në QKUK kanë thënë se së shpejti lëshojnë komunikatë për media.

Dje gjatë ditës u raportuan tri raste të dyshuara me koronavirus, por më pas rezultatet e të tria rasteve dolën negative.

Lajmi përditësohet ...