Arbëri

Mustafa: Rendi për kompromise është tek Qeveria e Serbisë

Foto: Alban Bujari / KD

Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi, në kolumnen e tij të fundit të publikuar në “Kohën Ditore” me titull “Të gjitha ngjyrat e Rubikut”, foli për hapat e parë të Josep Borrellit dhe të Richard Grenellit që tha se ilustrojnë mungesë ndërveprimi.

Aty, Surroi thotë se para ca javësh, “shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, u takua me ekspertë të njohur evropianë në Berlin dhe, sipas disa pjesëmarrësve, pyeti se a do të ishte zgjidhje që Serbia ta merrte pjesën veriore të Kosovës, mori përgjigje se kjo nuk do të ishte zgjidhje, por hapje e kutisë së Pandorës dhe atëherë konstatoi: ‘Po, si të bëhet që Serbia të fitojë diçka?’”.

Në këtë kontekst, eksperti i çështjeve ekonomike, njëherësh ish-deputeti Muhamet Mustafa, ka kujtuar kohën kur në negociatat e Vjenës për statusin e Kosovës, ku ai vetë ishte pjesëmarrës aktiv, janë aprovuar shumë propozime të Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare në linjën kërkesave të Serbisë për të akomoduar sa më mirë minoritetin serb në Kosovë – në planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.

Në negociatat e Vjenës, Mustafa thotë se është realizuar procesi i decentralizimit që, sipas tij, ka imponuar një ristrukturim radikal të organizmit territorial, “ku janë formuar 10 komuna të reja serbe, është siguruar që këto komuna të kenë të drejta shtesë, asimetrike, në krahasim me komunat e tjera”.

“…janë siguruar 10 ulëse të garantuara në Kuvend për serbët, pastaj përfaqësim i obliguar në Qeveri, përdorimi zyrtar i gjuhës serbe, universiteti publik, shëndetësia sekondare, mbrojtja e pronës së objekteve fetare dhe trashëgimisë së tyre kulturore e religjioze edhe, është siguruar një lloj vetoje e minoritetit serb, nëpërmjet kërkesës së votës së 2/3 të deputetëve të minoritetit serb për të fuqizuar ndryshimet kushtetuese dhe një sërë ligjesh të rëndësishme”, thotë ish-deputeti Mustafa.

Pra, sipas tij, Serbia dhe minoriteti serb kanë fituar kaherë me zgjidhje kushtetuese e institucionale edhe përtej Kartës Evropiane për të drejtat e minoriteteve dhe vetëqeverisjes lokale.

“Ndaj rendi për kompromise është tek Qeveria e Serbisë. Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta detyrojë qeverinë serbe t’i bëjë këto kompromise, ngjashëm me ato që pala kosovare i ka bërë në Vjenë. Ndryshe edhe bashkësia ndërkombëtare i bën jehonë shprehisë së vjetër dhe të re të Serbisë që vazhdimisht të kërkojë nga Kosova kompromise mbi kompromise”, përfundoi Mustafa.