Arbëri

Anulimi i ndërtimit të lagjes në Badovc, “fitore e qytetarëve”

Përfundimisht, Ministria e Ambientit i ka thënë jo ndërtimit të lagjes së paralajmëruar në Liqenin e Badovcit.

Ashtu siç ka raportuar Kohavisioni, udhëheqësi i ri i kësaj ministrie, Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar vendimin obligues ndaj Komunës së Prishtinës, për anulimin e kushteve të ndërtimit për këtë projekt.

E, kreu i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka thënë se do ta shqyrtojnë vendimin sapo ta pranojnë zyrtarisht, raporton KTV.

Në rast të anulimit të kushteve, Ahmeti ka theksuar se përgjegjësia ligjore për këtë vendim do t’i takojë Ministrisë.

Këtë vendim të Ministrisë e quan fitore të qytetarëve Grupi për Mbrojtjen e Badovcit, 28 mijë anëtarët e të cilit vazhdimisht kanë kundërshtuar ndërtimin në atë zonë.

Tani ata kërkojnë nga komuna anulimin e kushteve.

Megjithatë, Nrecaj thotë se misioni i tyre nuk do të përfundojë këtu. Përveç Badovcit, ai premton angazhim edhe për mbrojtjen e resurseve të tjera ujore në gjithë Kosovën.

Komuna e Prishtinës kishte refuzuar dy herë lëshimin e kushteve për investitorët, derisa këtë e ka bërë pas vendimit obligues nga Ministria e Mjedisit, që në atë kohë udhëhiqej nga Fatmir Matoshi i AKR-së.

Pavarësisht kundërshtimit të madh qytetar, Matoshi kishte hezituar që me vendim zyrtar të obligonte komunën për anulimin e kushteve të ndërtimit.