Kurti e Thaçi reagojnë kundër sulmit me vezë ndaj Hotit Foto: Koha / ilustrim

Kurti e Thaçi reagojnë kundër sulmit me vezë ndaj Hotit

22 February 2020 18:31

Për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, kanë reaguar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi.

Kurti thotë se këto veprime të dirigjuara nuk e shqetësojnë Qeverinë e Kosovës, ndërsa Thaçi, e dënon sulmin dhe e quan të papranueshëm.

“Veprimet e dirigjuara prej marazit të ngelur nga 6 tetori e 3 shkurti nuk e shqetësojnë qeverinë, e cila po punon e angazhohet për të mirën e popullit e të shtetit, dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët. Zv.kryeministrit Hoti i uroj forcë e punë të mbarë, opozitës i dëshiroj frymë bashkëpunuese, edhe kur e luftojmë korrupsionin e krimin, edhe kur e mbrojmë shtetin e kombin”, shkruan Kurti në Facebook, transmeton Koha.net.

Ndërsa presidenti Thaçi thotë se tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike, është e papranueshme e e dënueshme.

“Sulmi me vezë ndaj Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është i papranueshëm dhe i dënueshëm në demokracinë dhe shtetin që kemi ndërtuar. Tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike ka qenë dhe do të mbetet përherë e papranueshme dhe e dënueshme”, shkruan Thaçi.

Hoti sot gjatë ditës është sulmuar me vezë deri sa ishte afër ndërtesës së qeverisë. Pas sulmit, Hoti tha se “Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar”.

“Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, ka njoftuar se kanë nisur hetimet.

“Me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor 'Qendra' kanë dalë në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është iniciuar rasti 'Sulm'. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë për Koha.net Bajram Krasniqi, zëdhënës në PK.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme