Arbëri

Qehaja: Ka mangësi në cilësinë e teksteve të reja, recensimi të bëhet ndryshe

Njohësi i çështjeve arsimore në Kosovë, Rinor Qehaja, thotë se deri sot nxënësit kanë mësuar me tekste të reja mirëpo me planprogram të destinuar për tekste të vjetra.

Sipas tij, ka mangësi në cilësinë e librave të reja, e gjithashtu, recensimi duhet bërë ndryshe e jo si deri më tash brenda një periudhe shumë të shkurër.

Largim nga përdorimi të teksteve shkollore për klasat 1,2,6,7,10,11, të hartuara vitin e kaluar, i kanë rekomanduar ministres së re të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, drejtorë shkollash, koordinatorë të cilësisë në nivel shkolle, koordinatorë të cilësisë në nivel komune e përfaqësues të Këshillit të Prindërve të pesë komunave.

Ky rekomandim ka dalë pas disa takimeve që kanë zhvilluar ditë më parë këta përfaqësues të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Podujevës e Drenasit me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, në Express Intervistën në KTV tha se mangësia në cilësinë e librave të reja është evidente.

“Është mirë që kemi reagim të tillë, edhe pse i vonuar. Ne kemi kundërshtuar këtë proces qysh në fillet e tij. MASHTI është duke kryer vlerësim të plotimit ku dëshmohen shumë mangësi”, tha Qehaja.

Konkursi i vitit të kaluar, tha ai, ka përfshirë shumë libra të klasave, që sipas tij, do të duhej të ishin në përputhje me kornizën e re korikulare.

“Recensimi duhet të bëhet ndryshe, jo nëpër hotele në disa orë, i ngutshëm e joprofesional”, u shpreh ai.

Ndryshimi i librave është bërë për të eliminuar shumë gabime, e Qehaja, thotë se megjithatë, në tekste ka prapë gabime.

“Me të vërtetë është e pafalshme të kemi gabime të të njëjtës natyrë. Gabime përmbajtësore, faktike. Kjo bëhet për shkak se s’ka përputhje me kornizën korikulare”, tha ai.

Qehaja tha se duhen “tekste alternative”, që fëmijët të kenë mundësi të përzgjedhin një tekst.

Ai vlerëson se të njëjta tekste që janë shtypur, nuk janë dërguar në vende më rurale, por sipas Qehajës, ato janë dërguar në kryeqytet e nëpër qytete më të mëdha.

“Fëmijët mësuan me tekste të reja e me planprogram të vjetër”, tha ai.

Qehaja thotë se mësimdhënësit janë shumë “të vetmuar në punën e tyre”.

“Kanë mungesë të përkrahjes në kurrikula, në tekste të reja. Pak e dinë se çka kërkohet në kornizën korrikulare. Kjo mjegull në arsimin parauniversitar, është rezultat i neglizhencës së MASHTI-t”, u shpreh Qehaja.

Ai tha se kurrikula e re me atë të vjetrën, dallojnë shumë.

Sa i përket përmbajtjes së teksteve në përgjithësi, ku shpesh ka gjuhë diskriminuese, Qehaja e quan të patolerueshme.

“Kjo përmbajtje është e patolerueshme sepse ka marrë të drejtë nga MASHT-i për t’u publikuar. E pakuptimtë që ende mësohet që Kosova është pjesë e Serbisë, por edhe shumë përmbajtje tjera. Kjo ka marrë aprovim për botim nga MASHT-i”, tha ai.

Sipas Qehajës, në disa fusha arsimore “nuk kemi autorë të mirë”.

“Ata punojnë për shtëpi botuese e jo për nxënës”, u shpreh ai.

“Ky vit mësimor shkoi, e padrejtë për fëmijët që qenë pjesë e atyre librave shkollorë. Këto tekste duhet të dërgohen në konkurs e të mos përfundojnë me të njëjtin autor e recensent”, u shpreh Qehaja.