Arbëri

Qeveria paralajmëron suspendimin e përkohshëm të punimeve në disa hidrocentrale

Foto: Koha / ilustrim

Suspendim të përkohshëm të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve deri në rishqyrtim të dokumentacioneve, ka paralajmëruar zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani.

Ndërkohë ka bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë licencë pa studim të gjendjes faktike të lumenjve. Zogiani ka kritikuar qeverisjet e kaluara se kanë lejuar ndërtimin e hidrocentraleve duke shpërfillur ligjin, në dëm të mjedisit. Dëmi i tillë, sipas tij, është shkaktuar edhe nga hidrocentralet në Grykën e Deçanit nga kompania “Kelkos”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tij, kompania “Kelkos” ka bërë disa shkelje. “’Kelkos’ para së gjithash dyshojmë se ka bërë shkelje, sepse ka bërë eksploatimin e zhavorrit dhe nuk e ka bërë digën, kjo praktikisht është mashtrim. Me sa e di tashmë ka pretendime për hetim nga Prokuroria”, ka thënë Zogiani, në intervistën për Express të KTV-së.

Kompania “Kelkos” është edhe kompania e vetme që ka aplikuar për t’u pajisur me leje mjedisore. Edhe pse nuk posedon një të tillë, ajo funksionon me një leje të përkohshme të lëshuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. ZRRE-ja disa herë ka pohuar se licenca është lëshuar pas një dokumentacioni të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, se kompania është në proces për t’u pajisur me leje. Se hidrocentrali është në funksion dhe është vërtetuar edhe nga ekipi i “Kohës” që ka qëndruar gjatë ditës së mërkurë në Grykën e Deçanit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)