Arbëri

Qeveria do të pezullojë përkohësisht ndërtimin e hidrocentraleve

Suspendim të përkohshëm të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve dhe mosdhënie të licencave të reja ka paralajmëruar zv.ministri në Ministrinë e Ambientit, Avni Zogiani.

Zogiani, në Express Intervistën në KTV, ka thënë se qeverisja e kaluar ka aprovuar leje pa e ndjekur ligjin, derisa ka pranuar që kompania KEL-Kos në Deçan i ka shkaktuar dëme të mëdha mjedisit.

Zogiani, gjatë së martës, ka qëndruar në Biti të Shtërpcës, ku është duke u ndërtuar hidrocentrali, e pas kësaj vizite, kompania “Matkos Group HC VIQA”, ka paralajmëruar se do ta dërgojë Kosovën në Arbitrazhin e Londrës, nëse edhe më tej do t’i shkaktohen pengesa në investimet e nisura energjetike në Kosovë, raporton KTV.

Derisa, zv.ministri ka thënë se ky reagim tregon që diçka nuk është në rregull.

E, vizita e tij në Biti të Shtërpcës ka rritur shpresat e qytetarëve të Komunës së Deçanit, aty ku veprojnë rreth 3 hidrocentrale.

Derisa, nga shoqëria civile shprehen skeptikë se do të mund të arrihet diçka pozitive në drejtim të ndalimit të hidrocentraleve që gjenden në bjeshkët e Deçanit.

Qeveria e Kosovës, këtë të mërkurë, ka emëruar sekretar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit Izedin Bytyqin, në vend të Arben Çitakut.

Çitaku, i cili për shumë vite ishte edhe sekretar në Ministrinë e Mjedisit, kishte lëshuar të gjitha lejet kundërthënëse për ndërtimet e hidrocentraleve në Kosovë.

Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës kanë organizuar sërish një protestë gjatë së mërkurës, për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë lumit Lepenc.

E, në tërë Kosovën operojnë 14 hidrocentrale të vogla dhe 21 të tjera që janë në faza të ndryshme të procesimit.