Arbëri

Homazhet për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

14 vjet pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, për herë të parë, Albin Kurti, si kryeministër, është përkulur para varrit të tij.

E homazhet e shumëkërkuara Kurti zgjodhi që t`i bëjë në shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton KTV.

Në tentim për të realizuar koalicionin parazgjedhor, kreut të Vetëvendosjes i ishte kërkuar disa herë që ta vizitonte varrin e Rugovës, si shenjë nderimi për figurën e udhëheqësit të LDK-së.

Megjithatë pas homazheve, Kurti tha se vlerëson veprën e Rugovës për liri e pavarësi.

Por ai nuk komentoi vizitën e parë të tij tek varri i ish-presidentit.

I pari i Qeverisë, gjatë vizitave të tij, është shoqëruar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Kurti e Osmani nderuan edhe veprimtarin Adem Demaçi. Derisa Osmani e quajti Demaçin simbol të çështjes kombëtare, Kurti tha se ai ka inspiruar breza të shumtë.

Homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, gjatë ditës kanë bërë edhe anëtarë të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës e qytetarë të shumtë.