Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, vizitoi kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nga ku tha se është nder dhe privilegj që është para ushtarëve.
“Për të ardhur deri në ditën kur Kosova ta ketë Ushtrinë e vet, u desh shumë mund, luftë, përpjekje, durim e prëgatitje sistematike. Vullnet dhe unitet i brendshëm politik e qytetar, partneritet me miqtë tanë ndërkombëtarë, mbi të gjitha me SHBA-në. Një ndër të arriturat më të rëndësishme pas luftës, ishte transformimi i UÇK-së në TMK. Kjo forcë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u shndërrua në FSK dhe brenda 10 vjetësh u transformua në Ushtri të Kosovës. Ushtria e Kosovës u rrit së bashku me vitet e lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të saj”, tha Thaçi, raporton Koha.net.
Ai tha se Ushtria e Kosovës është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me shtetet mike të Kosovës, me ato shtete që na u gjendën në momentet më kritike të historisë sonë – më ’98 dhe ’99.
“Edhe sot, si gjithnjë, shprehim falënderimin tonë për të gjitha demokracitë botërore që mbështetën Kosovën gjatë luftës, dhe pas saj, dhe të cilat sot japin ndihmë në zhvillimin e përgjithshëm të shtetit tonë”, u shpreh presidenti i vendit.
Komandanti suprem i Ushtrisë së Kosovës falënderoi pjesëtarët e saj për rezultat e treguara në situata krizash në rajon e kudo që u kërkua.
“Zotimi dhe profesinalizmi juaj u sprovua në tërmetin e fundit në Shqipëri, sikurse edhe më parë gjatë vërshimeve kur u ndihmuan qytetarët në hall. Profesionalizmi juaj vërehet kudo në Kosovë. Jeni ushtri e re, por ushtri moderne”, u shpreh më tej presidenti Thaçi.
“Përbërja e saj etnike dhe gjinore tregon më së miri për zbatimin e standardeve më të larta kushtetuese dhe ligjore në shtetin tonë”, theksoi ai.