Në 94 për qind të rasteve hetuesit policorë neglizhojnë punën, s’raportojnë për Prokurorinë

Donika Voca Gashi Donika Voca Gashi 16 February 2020 21:02

Hetuesit policorë vazhdojnë të neglizhojnë detyrat e tyre të përcaktuara sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, duke mos hartuar fare raporte me shkrim për prokurorin e shtetit rreth hetimeve që i kanë bërë.

Në 94 % të dosjeve të inspektuara del se hetuesit nuk kanë respektuar afatet kohore për t’ia dorëzuar prokurorit të shtetit raportin policor lidhur me rastet e pranuara, raporton KTV.

Sipas një inspektimi të Inspektoratit Policor të Kosovës, nga 80 dosje të inspektuara në 75 prej tyre hetuesit kanë shkelur dhe nuk kanë respektuar nenin 70 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parasheh që brenda 24 orëve policia t’i dorëzojë një raport policor prokurorit.

Për më tepër, Inspektorati ka vënë në pah se një shkelje e tillë kishte ndodhur edhe në të kaluarën.

Raporti ka vënë në pah gjithashtu se në 63% të dosjeve të inspektuara, hetuesit e sektorëve rajonalë nuk kanë hartuar planet e hetimit.

Shumicën prej lëndëve ata i kanë dërguar te prokurori pa nënshkrimin e mbikëqyrësve të njësive, duke mos respektuar zinxhirin komandues.

Si neglizhencë tjetër IPK-ja i konsideron edhe rastet kur në procesverbalet e marrjes në pyetje nuk janë nënshkruar dëshmitarët apo të dyshuarit. Sipas IPK-së, kjo mund të ketë efekte negative gjatë zhvillimit të fazave të mëvonshme të procedurës penale.

Gjatë inspektimeve IPK-ja ka hasur edhe në raste kur dëshmitë nuk janë gjetur në dhomat e dëshmive.

Në dhomën e dëshmive në Stacionin policor të Ferizajt nuk janë gjetur një shumë e parave të konfiskuara, por ato janë mbajtur në një sef në zyrën e zyrtares përgjegjëse të dhomës së dëshmive, e cila hapësirë ndahet edhe me zyrtarë të tjerë të drejtorisë.

IPK-ja gjithashtu ka pasur vërejtje sa i përket lëvizjes së dëshmive në rastet kur ato nxirren nga dhomat e dëshmive për t’u dërguar në gjykatë, apo kthyer personit të autorizuar.

KTV ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës për këtë inspektim të IPK-së por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme