ZKM-ja rekomandon anulimin e tenderit për Autostradën e Gjilanit me vlerë 110 milionë euro Foto: Koha / ilustrim

ZKM-ja rekomandon anulimin e tenderit për Autostradën e Gjilanit me vlerë 110 milionë euro

Saranda Ramaj Saranda Ramaj 14 February 2020 16:26

Zyra Ligjore e Zyrës se Kryeministrit të Kosovës përmes opinionit ligjor që e ka përfundua ditën e sotme ka konstatuar se ishte e jashtëligjshme hapja e tenderit të Autostradës se Gjilanit.

Opinioni ligjor i kësaj Zyre është që ky projekt i iniciuar, e që ka vlerë 110 milionë euro, duhet të anulohet.

Në këtë opinion ligjor janë të listuar arsyet që e bëjnë këtë procedurë të paligjshme, raporton Koha Ditore.

“Me Ligjin Nr.03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Ligjin Nr.04/L-042 për prokurimin prokurimin publik, Ligjin Nr.06/L-133 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe me aktet nënligjore të kësaj fushe është përcaktuar qartë procedura e inicimit të aktiviteteve të prokurimit publik, planifikimi buxhetor për projekte të caktuara, si dhe zotimi i mjeteve të mjaftueshme financiare për prokurimin përkatës në shumë të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve që mund të dalin gjatë vitit aktual fiskal”, thuhet në këtë opinion.

Një nga çështjet që e bëjnë jolegjitim hapjen e këtij tenderi sipas këtij opinion ligjor është mungesa e mjeteve të zotuara.

“Rrjedhimisht asnjë procedurë e prokurimit publik nuk mund të filloj përderisa nuk janë siguruar fondet, si dhe asnjë obligim kontraktual nuk mund të ndodhë”, thuhet në këtë opinion.

Bazuar në këtë rekomandohet që tenderi të anulohet.

“Rekomandohet Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, që të bëjë anulimin e menjëhershëm të shpalljes së tenderit Ndërtimi i Autoudhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6 A7.1(Banullë)- Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqi Bresallc- Dheu i Bardhë; Nga Stacioni 26+875.00- stac.51+753", në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në këtë opinion.

Pas këtij opinioni, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit i ka bërë shkresë sekretarit të kësaj ministrie, Betim Reqica.

Ai i ka dhënë afat deri me datën 18 që të ndërmarrë veprime ashtu siç thuhet në opinionin ligjor të ZKM-së.

“Luteni, të merrni hapat e nevojshëm ligjor, jo më larg se me datën 18 shkurt 2020, deri në fund të orarit të punës; dhe të më raportoni me shkrim”, thuhet në shkresën e Abdixhikut për Reqicën.

“Koha Ditore” në numrin e sotëm ka raportuar për mospajtimet e stafit civil me deklaratat e Abdixhikut që duhet të ndiqen rrugët ligjore për të anuluar këtë tender.

Drejtoresha e prokurimit, Valmira Bllaca dhe sekretari i kësaj ministrie Betim Reqica kanë konsideruar se “Abdixhiku ka bërë presion për një tender”.

Ky tender ishte shpallur dy javë para se ish-ministrit Pal Lekaj t’i përfundojë mandati.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme