Arbëri

Buxheti tre miliardë eurosh i mundshëm në Kosovë

Foto: Koha / ilustrim

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij buxheti i Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro, nga 2.3 miliardë sa ishte vitin e kaluar.

Ekspertët e Ekonomisë janë optimistë se ky projeksion mund të arrihet madje edhe të tejkalohet. Ata konsiderojnë se garanci për këtë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe lufta kundër informalitetit.

Ekonomisti Safet Gerxhaliu tha për Radio Kosovën se sundimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër informalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar do të ndihmojnë në rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro.

“Jam i bindur se nëse do të jetë prioritet zhvillimi ekonomik, i cili do të jetë i mbështetur në sundim të rendit dhe ligjit, transparencë dhe dialog të mirëfilltë me sektorin privat, bashkërisht do të shpallet luftë e pakompromis informalitetit në veçanti për sa i përket evazionit fiskal. Besoj që 3 miliardë jo vetëm që do të grumbullohen, por edhe tejkalohen.”

Ai tha se shteti ka qasje selektive ndaj bizneseve, prandaj nëse do të bëhet trajtimi i barabartë i tyre, kjo do të ndihmonte në mbushjen e arkës së shtetit.

Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Skënder Krasniqi, thotë se mundësitë që buxheti aktual të rritet në 3 miliardë janë të jashtëzakonshme. Sipas tij, shteti së pari duhet ta përkrahë sektorin privat.

“Mjafton vetëm që shteti të krijojë klimë të të bërit biznes. T’i përkrahë bizneset të punojë më ta dhe t’i eliminojnë problemet e mëdha që gjatë këtyre viteve janë deklaruar. Kjo automatikisht mundëson tërheqjen e investimeve të huaja që janë të mundshme dhe i pret Kosova.”

E nga Ministria e Financave kanë thënë se është finalizuar projekt-buxheti për vitin 2020, në vlerë prej 2 miliardë e 467 milionë euro. Ata nuk kanë dashur që të sqarojnë mënyrat se si do të bëhet kjo rritje e të hyrave buxhetore.