KEDS-i e largon nga puna krye-sindikalistin, Gashi

Shahadije Bikliqi – Dragaçina 13 February 2020 19:25

Rashit Gashi të mërkurën mori rrugën si çdo ditë tjetër për të shkuar në punë, në KEDS, aty ku punon tash e 13 vjet.

Por në hyrje të kësaj kompanie ai u pengua nga sigurimi, që i tha se nuk mund të hyjë brenda objektit pasi atij i është shkëputur kontrata e punës, raporton KTV.

Gashi, i cili ishte edhe sekretar në federatën e sindikatave të pavarura “Elektrokosova”, po pretendon se largimi i tij nga puna është bërë shkaku i angazhimit sindikal.

Ai thotë se me këtë vendim KEDS-i nuk e ka respektuar institucionin e Sindikatës, duke shkelur Ligjin mbi organizim sindikal për imunitetin që kanë anëtarët e saj.

Neni 24 i këtij ligji parasheh që sindikalistëve nuk mund t’iu ndërpritet kontrata, t’iu caktohet vend tjetër i punës, t’i ulet pozita ose të fillohen masa disiplinore.

Veç kësaj, Gashi thotë se KEDS-i ka bërë edhe shkelje të Ligjit të Punës, të Kontratës Kolektive dhe Marrëveshjes së Menaxhmentit me Sindikatën, e cila parasheh se asnjë punëtor nuk do të largohet nga puna deri në vitin 2022.

Ish-sindikalisti thotë se betejën e tij me KEDS-in do ta vazhdojë përmes gjykatës, edhe pse, sipas tij, menaxhmenti i kompanisë e ka paralajmëruar atë se është i gatshëm të paguajë çfarëdo çmimi vetëm që ky të mos jetë pjesë e kompanisë.

Për këtë rast Kohavisioni e ka pyetur KEDS -in, por Zyra për Media nuk ka kthyer përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Nexhmi Rexha14/02/2020 10:21

Nese ka organizim sindikal ne KEDS, duhet te kete greve. Mjet tjeter nuk ka me e mbrojte irganizimin sindikal. Nese nuk do te kete greve, atehere kuptohet se ne KEDS nuk paska pase organizim sindikal!

Tafa14/02/2020 15:00

Kedsi punon sipas ligjeve te..ma... O sa kjo sindikat e mirfillt se kur tja kish blloku Punen komplet SINDIKATA si kish ra mend me denu sindikalist si ne koh te xhaxhit ENVER

Shto koment

Të ngjashme