Tahiri: VV e LDK po tentojnë të kapin shtetin duke i marrë komisionet kryesore parlamentare Foto: Alban Bujari / KD

Tahiri: VV e LDK po tentojnë të kapin shtetin duke i marrë komisionet kryesore parlamentare

10 February 2020 16:47

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka akuzuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës në lidhje me mbajtjen e sotme të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pa opozitën.

Ai thotë se “me sjelljet e saja antiligjore dhe militante” po e dëmton imazhin e demokracisë parlamentare dhe traditës shtet-formuese, dhe se po mban peng funksionimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare dhe po e cenon qëllimshëm punën e opozitës në Kuvend.

“Kjo sjellje është e papranueshme. Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale, dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale”, shkruan Tahiri në Facebook.

Sipas ish-ministrit Tahiri, fakti se VV-ja dhe LDK-ja, që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se “pushteti aktual po provon të vë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies”.

Kjo ndarje e komisioneve, sipas tij, është goditje ndaj vlerave të një demokracie parlamentare, ku opozitës po i pamundësohet mbikëqyrja e aspekteve vitale të qeverisjes.

“Megjithëse me këto veprime, tendencat për ‘uzurpimin’ e agjendës politike dhe shmangien e llogaridhënies përballë qytetarëve janë mjaft të qarta, ne si deputetë të PDK do të angazhohemi me çdo kusht dhe në mënyrë të pa kompromis që ky pushtet të mos arrijë të cenojë vlerat e demokracisë parlamentare dhe të mos arrijë t’i shmanget llogaridhënies. Rruga e tyre për bllokimin tonë në Kuvend, është rrugë qorre dhe do t’i shpie në qorrsokak”, përfundon ish-ministri Tahiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme