​Haskuka: Qytetarët kanë pritje të larta nga Qeveria Kurti, disa prej tyre jo reale

​Haskuka: Qytetarët kanë pritje të larta nga Qeveria Kurti, disa prej tyre jo reale

09 February 2020 11:03

Qeveria Kurti do të kthejë shpresën tek qytetarët e vendit për një Kosovë më të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Në vend që politikanët të kenë automjete të blinduara, ato duhet t’i kenë prokurorët dhe gjykatësit. Kështu deklaron anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, njëherësh kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për KosovaPress.

Haskuka thotë se për dallim nga të gjitha qeveritë e kaluara, qeveria Kurti i ka të qarta prioritetet dhe se qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë llogari për secilën punë.

"Mendoj që më të vërtetë qytetarët kanë të drejtë ta quajnë koalicion të shpresës. Pse po them kështu është çështja nëse shikojmë ministrat të cilët janë përzgjedhur, nëse shikojmë zvogëlimin e numrit të ministrive nga 21 në 15 dhe profilet e personave të cilët janë aty, mendoj që të gjithë do të mundohen që të punojnë sa më mirë në fushat e tyre...Çdo ministri do t’i ketë qëllimet që do t’i arrijë brenda 4 viteve dhe qytetarët do të dinë si të kontrollojnë se sa janë duke punuar në ato premtime që i kanë dhënë ose në planin e punës. Mendoj që vetëm ky fakt që i kemi prioritetet, e kemi programin qeverisës, i kemi afatet kohore të cilat janë aty, jep një transparencë dhe llogaridhënie për punën që do të bëhet. Pritjet janë shumë të larta, mendoj që disa janë jo reale disa pritje, por sidoqoftë do të kemi një ndryshim pozitiv", thotë ai.

Ai potencon se shëndetësia, punësimi, lufta kundër krimit e korrupsionit janë çështjet më prioritare të qeverisë Kurti, që sipas tij, janë çështje që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve të vendit.

"Janë çështjet të cilat lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, do të thotë përmirësimin e jetës së qytetarëve që nga reformat në arsim, shëndetësi, po çështja më e madhe dhe ku kemi më së shumti shpresë është pikërisht pjesa që ka të bëjë me rininë dhe punësimin. Kur kemi përpiluar programin ose ofertën gjatë fushatës zgjedhore, çështja kyçe ka qenë kjo se si të krijohen vende të reja të punës për të rinjtë, ju e dini aty është fondi i inovacionit, çështjet që kanë të bëjnë me arsimin ose lidhjen e arsimit me punësim, që sistemi arsimor në Kosovë të jetë pjesë e ekonomisë e jo diçka e ndarë. Normal janë edhe çështjet lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, ku qytetarët e Kosovës kanë shumë pritje të mëdha. Shpresoj që të gjithë ministrat të jenë në krye të detyrës", thotë Haskuka.

Kreu i Prizrenit deklaron se problemet që janë në Kosovë nuk mund të rregullohen brenda një mandati, por që potencon se vullneti në Qeverinë Kurti ekziston për të bërë Kosovën një vend më të mirë për qytetarët e saj.

Haskuka thotë se çështjet si sistemi i drejtësisë dhe arsimi kanë nevojë për reforma të thella, reforma të cilat potencon se do të bëhen, por që rezultatet sipas tij do të shihen vite më vonë.

"Unë mendoj që problemet që janë në Kosovë nuk mund të zgjidhen brenda tri, katër viteve, janë probleme të cilat nevojitet një investim ose një punë shumë më e gjatë në shumë pika, si për shembull arsimi, për rregullimin e sistemit arsimor minimumi duhen 8 vite. Por, çka duhet të bëhet tani është të fillohet ky proces, do të thotë po e marrim arsimin, po edhe në çështjet tjera që është përafërsisht gjë e njëjtë. Do të thotë prej mënyrës se si janë bërë, faktikisht se si bëhet selektimi i stafit në sistemin arsimor, deri tek çështjet e monitorimit të mbikëqyrjes së kualitetit të punës nëpër institucionet arsimore, mendoj që duhet një reformë e thuktë, duhet të krijohet një transparencë shumë e madhe në këtë aspekt, por rezultatet e kësaj pune do të vërehen shumë më vonë", potencon ai.

Sa i përket sistemit shëndetësor, ai shprehet se nëse do të implementohet ligji për sigurime shëndetësore gjendja në këtë sektor do të përmirësohet dukshëm. Sipas tij, çështjet bazike në sistemin shëndetësor mund të rregullohen edhe brenda një mandati qeverisës.

Ndërkaq, për sistemin e drejtësisë, Haskuka deklaron se duhet më shumë reforma në mënyrë që të shihen rezultatet.

“Në sistemin e drejtësisë ose në sistemi në përgjithësi të funksionimit të rendit dhe ligjit mendoj që do të duhet kohë. Nëse shikojmë edhe rastin e Shqipërisë ku faktikisht është duke u bërë vetingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve këto procese janë pak më të dhimbshme dhe do të marrin më shumë kohë. Si pjesë e këtij procesi zakonisht shkon edhe politizimi në aspektin e debatit publik, gjë që mendoj që kish me qenë problematike në Kosovë, por sidoqoftë edhe këtu duke forcuar më shumë, duke i dhënë të gjitha nevojat të sistemit të gjyqësorit dhe të sistemit të prokurorisë dhe duke i plotësuar nevojat e tyre besoj që ata do të mund të bëjnë një punë shumë më të mirë sesa që kanë bërë deri më tani. Ne gjithmonë kemi thënë që në vend që politikanët të kenë automjete të blinduara, automjet e të blinduara duhet të kenë prokurorët dhe gjykatësit. Këto gjëra mund të bëhen shpejt, por rezultatet e tyre a do të shihen shpejt nuk e di, mendoj që do të merr kohë”, deklaron ai.

Vendi është bërë me qeveri më 3 shkurt, ku Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme