Arbëri

Kadeti i FSK-së - instruktor i britanikëve, amerikanëve e shumë të huajve në Mbretërinë e Bashkuar

Foto: Driton Paçarada / KD

Kapiteni i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Ismail Hoxha, është instruktor që shërben në Sandhurst të Anglisë, në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.

Atje, Hoxha trajnon kadetë britanikë, amerikanë e nga shumë vende tjera të botës.

Kjo është hera e parë që FSK-ja ekspozohet më ndryshe, meqë deri tani, në Sandhurst, FSK ka qenë prezente vetëm me kadetë të cilët shkollohen aty.

Kapiten Hoxha në një intervistë për KosovaPress, thotë se punën si instruktor në një prej akademive më të mëdha në botë e sheh përgjegjësi të madhe, marrë parasysh faktin që përfaqëson FSK-në, për të cilën thotë se është shembull profesional i ushtrisë.

“Këtu misioni im është që të edukoj, trajnoj dhe përkujdesem për disiplinën dhe mirëqenien e kadetëve të cilët janë nën komandën dhe trajnimin tim. Kjo do të thotë të që të përkujdesëm që edukimi i tyre të jetë në nivel, në bazë të standardeve të cilat kërkohen këtu në akademi dhe gjithashtu të jem në përkujdesje të mirëqenies së tyre që mos të kenë probleme të tjera që i shqetësojnë ata në kuptimin e arritjes së standardeve që ata kanë nevojë me i arrit, por në të njëjtën kohë të përkujdesëm për disiplinën e tyre që këta t’i përmbahen standardeve dhe vlerave të disiplinës që janë të vendosura në Akademinë Mbretërore”, thotë Hoxha.

Ai shprehet optimist që FSK-ja do të vazhdojë të ketë instruktorë në këtë akademi edhe pasi misioni i tij të përfundojë në shtator të vitit 2021.

Kapiten Ismail Hoxha thotë se është ndjenjë e veçantë të shërbejë instruktor në Mbretërinë e Bashkuar nën uniformën e FSK-së, meqë sipas tij, njerëzit aty shprehin interesim të dinë më shumë për Kosovën dhe ushtrinë e këtij shteti të ri.

“Është ndjenjë e mirë sepse në radhë të parë e përfaqëson vendin tënd, kur e përfaqëson vendin tënd në një farë mënyrë je i veçantë në ambientin e akademisë sepse secili është i interesuar të dëgjojë për një kulturë tjetër, dhe me dëgju për një ushtri tjetër. Për atë arsye, ka edhe shumë individë që vijnë dhe të qasen dhe janë të interesuar të dinë për vendin tënd. Kjo është jashtëzakonisht e mirë sepse ka njerëz që realisht pak fare kanë ditur për ushtrinë tonë dhe tani të paktën kanë një njohuri se ku është Kosova, çka bën Kosova, çfarë ushtrie ka Kosova, çfarë kapacitete ka Kosova dhe çfarë aspirata ka Kosova për të ardhmen”, shton Hoxha.

Edukimin e kadetëve të FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar, komandanti i FSK-së gjenerallejtnant Rrahman Rama e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“Është një edukim i jashtëzakonshëm, jashtëzakonisht i rëndësi shëm dhe i mirë për të gjithë, dhe ne na gëzon fakti që ne tash kemi një instruktor si rezultat i përformancës së tyre gjatë shkollimit në Britaninë e Madhe, ne kemi arritur si Forcë e Sigurisë, si vend i ri, institucion i ri që të kemi instruktorin, që është kapiten Ismail Hoxha që në bazë të përfomancës së treguar, që është dekoruar edhe nga Princi Charles me shpatën e argjendtë, që shumë rrallë ndodh një student ndërkombëtar të marrë atë nderë, që të ketë atë nderë të marrë atë shpatë”, thotë komandanti i Forcës.

Ndërkohë britanezët, instruktorin e FSK-së në Akademinë Mbretërore, e shohin si mundësi fantastike për vet ata e edhe për FSK-në.

Kolonel Jake White, i cili ka shërbyer këshilltar i komandantit të FSK-së, thotë se prezenca e pjesëtarëve të FSK-së në akademi, mundëson që të zhvillohet më shumë Forca, dhe të ruhen marrëdhëniet e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

“Që ta kemi Ismajl Hoxhën në Sandhurst është një mundësi fantastike si për Mbretërinë e Bashkuar, po ashtu edhe për Kosovën. Kjo i lejon Kosovës të krenohet me këtë vend të Akademisë prestigjioze Ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, që të trajnoi jo vetëm oficerët dhe kadetët britanik, por edhe shtetas të tjerë të huaj siç janë amerikanët, pakistanezët, që të mos i përmend të gjithë kadetët dhe oficerët përafërsisht nga 30 vende të ndryshme ndërkombëtare në akademi”, thotë ai.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar bashkëpunojnë ngushtë në fushën e sigurisë, ku pjesëtarë të Forcës shkollohen në Akademinë Mbretërore atje ,prej ku kanë mundësi të marrin njohuri të cilat pastaj mund t’i implementojnë në Forcë.

Kapiten Ismail Hoxha, që tani është instruktor në Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu kishe vijuar studimet në këtë akademi, në fund të të cilave ishte nderuar me “shpatën e nderit” nga Princi Charles.