Karikaturisti i “Kohës Ditore”, Jeton Mikullovci – Jemi, për numrin e sotëm të gazetës ka përzgjedhur ta ilustrojë përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell.
Jemi, Grenellin e ka paraqitur si një magjistar i cili nxjerr nga kapela e tij magjike marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje këto të cilat arriti t’i realizonte për pak ditë, raporton Koha.net.
E para ishte ajo për linjën ajrore mes dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Beogradit, dhe tjera për linjën hekurudhore dy vendeve. E tërë kjo u arrit për vetëm 4-5 ditë.
Marrëveshja për linjën ajrore u nënshkrua në Berlin, kurse marrëveshja për linjën hekurudhore pritet të nënshkruhet ditëve në vijim, po në Berlin.
Këtë ilustrim si duket e ka pëlqyer stafi i Ambasadës Amerikane në Berlin, ku ambasador është Grenelli. Kjo pasi në profilin zyrtar të kësaj ambasade në Instagram, ata kanë shpërndarë karikaturën e “Magjistarit Grenell”, të cilën e kanë përcjellë me një shkrim.
“Në rolin e tij si i Dërguar Special Presidencial për bisedimet për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, Ambasadori Grenell javën e kaluar ishte i dobishëm në arritjen e një marrëveshjeje historike për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit pas 21 vjetësh. Rikthimi i lidhjes hekurudhore është hapi i radhës në gjenerimin e zhvillimit ekonomik”, shkruan kjo Ambasadë në Instagram.

Edhe Grenelli e ka shpërndarë të njëjtën, me një mbishkrim të shkurtër “LOL”, që në shqip i bie “Të vdesësh së qeshuri”.
