Ahmeti e akuzon MMPH-në se po provon ta bëjë përgjegjës atë për ndërtimet në Badovc

Mehmet Krasniqi Mehmet Krasniqi 24 January 2020 20:12

Kushtet ndërtimore për projektin afër liqenit të Badovcit, vazhdojnë t’i përplasin Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit.

MMPH-ja, e cila fillimisht e detyroi komunën që t’ia lëshojë kushtet ndërtimore, tani thotë se ka obliguar atë që t’i anulojë të njëjtat, raporton KTV.

“Në raportin e Inspektoratit të MMPH-së potencohen gjetjet, pas shqyrtimit të dokumentacionit të pranuar nga Komuna e Prishtinës. Prandaj, duke u bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit të Inspektoratit nr. 04/L-175, obligohen përgjegjësit e Komunës së Prishtinës që të veprojnë për eliminimin e parregullsive të konstatuara në këtë raport. Kjo nënkupton anulim të vendimit për lëshimin e kushteve ndërtimore”, ka thënë MMPH.

Por, një version tjetër ka kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ky është e-mail dhe në e-mail është raporti i inspektorëve për sekretarin. Unë e di qysh duket vendimi. Nuk mund t’i ikim përgjegjësisë me raporte për sekretarin. Ne presim vendim drejtuar komunës. Vendimi ka përgjegjësi ligjore”, ka thënë Ahmeti.

Në një përgjigje për KTV-në, Ahmeti akuzon ministrinë se po mundohet që përgjegjëse ta bëjë komunën, derisa i paralajmëron zyrtarët e saj se keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale.

“Këta po duan ta obligojnë inspektoratin me këso e-maila, që inspektorati ynë të lëshojë vendim për urbanizmin, me të cilin vendim nuk pajtohen, për të na bërë neve përgjegjës ligjërisht karshi palës. Ajo nuk ndodh. Në qoftë se mendojnë dhe kanë argumente ligjore, le të veprojnë, por keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale”, ka shtuar Ahmeti.

Ndërkaq, Kuvendi Komunal i Prishtinës, me kërkesë të PDK-së, do të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme, për ta sqaruar situatën në lidhje me ndërtimet afër Badovcit.

Gjatë javës ka pasur kërkesa për hetime ndaj komunës dhe ministrisë për vendimet e tyre.

Ka disa ditë që “Kohavisioni” e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë nëse ka në plan të nisë hetime për këtë rast, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme