Adriatik Kelmendi i bashkohet kauzës së UNICEF-it për fëmijët me aftësi të kufizuara

Adriatik Kelmendi i bashkohet kauzës së UNICEF-it për fëmijët me aftësi të kufizuara

24 January 2020 15:18

Autori i emisionit debatues “Rubikon” në KTV, gazetari e publicisti Adriatik Kelmendi prej sot i është bashkuar kauzës së UNICEF-it për gjithëpërfshirje të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Është e dhimbshme dhe e mjerueshme që sot e kësaj dite në Kosovë ka shumë fëmijë të cilët mbyllen brenda mureve të shtëpive, izolohen nga shoqëria, madje edhe përqeshen për shkak se nuk mund të ecin, nuk shikojnë ose nuk dëgjojnë mirë, ose kanë kufizime të tjera. Ata mund të jenë në secilën familje, në secilën lagje, në secilin fshat e qytet, por ne të mos i shohim. Llogaritet se deri në 70% të fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk shkojnë në shkollë dhe nuk përfshihen në shoqëri, për shkak se nuk iu kanë mundësuar kushtet nga institucionet, ose se stigmatizohen nga shoqëria, ose se familja nuk ka mundësi financiare t’i ndihmojë”, ka shkruar Kelmendi në një postim në rrjetin social “Facebook.
Ai ka thënë se do të angazhohet pa kursim që këta fëmijë t’i realizojnë të gjitha të drejtat që iu takojnë dhe t’iu ofrohen në të ardhmen shanset e barabarta me të gjithë fëmijët e tjerë. Ai ka kërkuar që kjo kauzë të ketë mbështetje nga e gjithë shoqëria.

“Në të njëjtën kohë, do të ju lusja të gjithë miqve të mi këtu, që të na ndihmoni në këtë kauzë fisnike. Flisni për fëmijët me aftësi të kufizuara, ngriteni zërin për ta, ndihmojini si mundeni e si dini, ndihmojini që t’iu kthehet buzëqeshja të cilën e meritojnë. Ata do të ndjehen mirë, por edhe ju do të ndjeheni mirë për veprën e bërë”, ka shkruar Kelmendi, duke falënderuar për mbështetje të kauzës kryetarin e Gjakovës Ardian Gjinin dhe atë të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme