Vetëvendosje: Konjufca nuk dorëhiqet, çështjet e tjera të hapura me LDK-në

Vetëvendosje: Konjufca nuk dorëhiqet, çështjet e tjera të hapura me LDK-në

24 January 2020 11:12

Posti i kryeparlamentarit, të cilin tashmë e mban Glauk Konjufca do të mbetet i padiskutueshëm në bisedimet për marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zyrtari për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje për portalin Koha.net ai ka thënë se Konjufca nuk do të jap dorëheqje.

“Glauk Konjufca nuk jep dorëheqje nga pozita e kryeparlamentarit”, ka thënë ai.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në Rubikon të KTV-së.

Ai ka deklaruar se nuk mund të zhbëhet vendimi, të cilin e e konsideron më këtë mirin në këtë legjislaturë.

Selimi tutje ka shtuar se do të ketë takim me LDK-në këtë fundjavë, derisa ka bërë të ditur se posti i presidentit e ministritë janë çështje e hapur në tavolinën e bisedimeve.

Të hënën kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është mandatuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për kryeministër të vendit. Kanë mbetur edhe 11 ditë që fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit t’ia paraqesë Kuvendit kabinetin qeverisës.

E me partnerin e vetëm të cilin ata e synojnë koalicionin, nuk janë takuar për më shumë se dy javë, duke bërë kështu që negociatat të ngecin.

Të dy partitë, përmes letrave kanë prezantuar ofertat e tyre, por se, për të njëjtat ende nuk është gjetur një zgjidhje.

E i fundit ishte Kurti i cili përmes një video-mesazhi i është drejtuar LDK-së dhe opinionit se për mandatim te presidenti po i duhet të shkojë pa marrëveshje.

Ai gjithashtu ka përsëritur se vendimi për emërimin e Konjufcës në krye të Kuvendit, është i pathyeshëm për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata nuk e kanë propozimin ofertën tonë të fundit, ndonëse ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra qasja ‘merre ose lëre’ do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkëte dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, ka thënë ai.

Ndryshe, VV dhe LDK kanë deklaruar se partnerë të vetëm për të qeverisur kanë njëra-tjetrën, duke vendosur kështu vija të kuqe për të gjitha partitë tjera përveç atyre të komuniteteve pakicë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme