Mbërrin në Shqipëri ambasadorja e re amerikane, Yuri Kim

Mbërrin në Shqipëri ambasadorja e re amerikane, Yuri Kim

22 January 2020 15:37

Trembëdhjetë ditë pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, mbërrin në Shqipëri shefja e re e diplomacisë së Washingtonit në Tiranë.

Pas një qëndrimi të shkurtër në terminalin VIP në aeroportin e Tiranës, nga ku u prit prej stafit të Ambasadës ajo është nisur drejt kryeqytetit, për të nisur të enjten ditën e parë të punës si ambasadore.

Pas Mariza Linos dhe Marcie Ries ajo është e treta diplomate femër që do të drejtojë selinë e Uashingtonit në Rrugën e Elbasanit.

Youri Kim vjen në Tiranë pasi e nominuara Shtëpisë së Bardhë përpara saj Kathleen Kavalec, nuk mundi të merrte dritën jeshile nga senati si pasojë e një lobimi kundra saj për të cilin Fiona Hill ish këshilltare për sigurinë e presidentit Trump tha në kongresin amerikan, se erdhi nga një parti politike në Shqipëri.

Pasaardhsja e Donald Lu, zonja Youri Kim ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor./tch

Komentet

Shto koment

Të ngjashme