Mustafa: Rugova ishte artikuluesi më i mirë për liri e pavarësi të Kosovës

Mustafa: Rugova ishte artikuluesi më i mirë për liri e pavarësi të Kosovës

21 January 2020 13:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në 14-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se ai ka qenë përfaqësuesi dhe artikuluesi më i mirë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në akademinë përkujtimore që LDK mbajti sot për të nderuar veprën e Rugovës, Mustafa theksoi rëndësinë e tij në shtet-formimin e Kosovës.

“Humanist i rrallë, dijetar i mbrehtë mbi të gjitha njeri i urtë, por shumë konsistent në pikëpamjet dhe qëndrimet e tij, Rugova u bë zëri i plotë i popullit të tij kudo në botë. U bë përfaqësuesi dhe artikuluesi më i mirë dhe më i besueshëm i synimeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci”, tha ai, përcjell kp.

I pari i LDK-së, duke folur për presidentin Rugova, tha se ai do të kujtohet gjithmonë si një politikan i urtë dhe këmbëngulës.

“Rugova do të kujtohet përgjithmonë si politikan i urtë, por këmbëngulës që synonte të edukonte me konceptet, mendimet e humanizmin, skenën e ashpër politike në Kosovë. Rugova thërriste për mirëkuptim për solidaritet të brendshëm, thërriste për dominim të arsyes. Kjo thirrje është aktuale edhe sot aq sa ishte edhe aktuale edhe periudhën në të cilën jetoi Ibrahim Rugova”, u shpreh Mustafa.

Mustafa mes tjerash theksoi se ish-presidenti Rugova më mirë se kushdo tjetër e ka dëshmuar se Kosova i takon Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht dhe në pikëpamje kulturore.

“Rugova më mirë se kushdo tjetër e provoi se Kosova i takon Evropës, jo vetëm gjeografikisht e historikisht, por edhe politikisht dhe në pikëpamje kulturore. Mbi këtë koncept, ai i krijoji Kosovës shumë miq, të cilët pastaj patën ndikim shumë në ndërtimin e aspiratës të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi’, tha Mustafa.

Pas një sëmundje të rëndë më 21 janar të vitit 2006, ish-presidenti dhe njëherësh kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë. Çdo përvjetor, përfshirë edhe të sotmin qytetarë dhe anëtarë të LDK-së bëjnë homazhe te varri i tij.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme