Pezullimi i Ligjit ia përgjysmon pagën zyrtarit të suspenduar të MTI-së

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 18 January 2020 19:19

Pezullimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë nga Gjykata Kushtetuese, ka pasur efekt edhe në masat e suspendimit për Arian Krasniqin, zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Nga paga e plotë që e merrte edhe gjatë suspendimit, atij i është përgjysmuar paga, siç e parashohin dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil në rastet e pezullimit, raporton KTV.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe vetë Krasniqi, në një bisedë telefonike për KTV-në.

Ministria, më 14 janar, fillimisht e ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë më 15 nëntor, dhe po të njëjtën ditë, e ka nxjerrë vendimin e ri, dhe siç u ka kërkuar Ministria e Administratës Publike, janë zbatuar dispozitat e ligjit për Shërbimin Civil.

Krasniqi, që është djalë i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, në Ministrinë që udhëhiqet nga Endrit Shala i Nismës, mban pozitën e zyrtarit të lartë për standarde dhe cilësi të turizmit.

Ai është suspenduar nga puna, pas një përplasjeje që ka pasur me sekretarin e kësaj ministrie, Burim Rreci, më 11 nëntor të vitit të kaluar.

Me këtë rast, tani është duke u marrë Prokuroria Themelore e Prishtinës që ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe sipas kallëzimit penal të dorëzuar më 19 nëntor, Krasniqi dyshohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme