Mbi 2,500 fëmijë janë zhdukur nga qendrat e refugjatëve në Holandë gjatë 10 vjetëve të fundit dhe askush s’e di ku shumica prej tyre janë, ka raportuar gazeta holandeze NRC të hënën.
Disa prej këtyre fëmijëve nën 18 vjeç me gjasë kanë udhëtuar nëpër Holandë apo diku tjetër në Evropë për të gjetur familjet e tyre, por një pjesë e tyre mund të kenë përfunduar në duart e trafikantëve apo në prostitucion, thotë agjencia për refugjatët COA.
Në total, rreth 11,700 nën 18-vjeçarë kanë marrë azil në Holandë pa njërin apo dy prindërit gjatë 10 vjetëve të fundit (deri në fund të 2019-ës) dhe së paku 2,556 prej tyre janë zhdukur, transmeton Koha.net.
Gazeta raporton se shumica e fëmijëve të zhdukur janë nga Shqipëria, Afganistani, Maroku, Eritrea, Siria dhe Vietnami.
Numri total përfundimtar mund të jetë më i lartë për shkak se Nidos, agjencia përgjegjëse për t’u kujdesur për minorenët pa përkujdesje, nuk i ka dhënë shifra gazetës për vitet 2011 deri më 2014.
Stafi i COA-s i ka thënë gazetës se s’mund të bëjnë shumë për të ndaluar zhdukjen e fëmijëve. Ndonjëherë vërejnë njerëz të huaj apo vetura që presin jashtë qendrave të refugjatëve, raste të cilat i raportojnë në polici.
Më 2006, pasi u bë e qartë se vajzat nga Nigeria po trafikoheshin si refugjate dhe po detyroheshin të hyjnë në prostitucion, zyrtarët nisën të përmirësojnë sistemin e tyre të regjistrimit, thotë gazeta.
Fëmijët, që konsiderohen se trafikohen më së lehti, mbahen në hapësira më të sigurta dhe zyrtarët thonë se po bëjnë gjithçka munden për të ulur rrezikun e zhdukjes së fëmijëve.
“Por nuk është e mundshme të garantojmë se asnjë i ri, refugjat i pashoqëruar, nuk do të largohet nga strehimoret”, ka thënë zëdhënësi për gazetën.