Ambasada e SHBA-së: Prokuroria duhet të jetë autonome, prokurorët të mbikëqyren Foto: Driton Paçarada / KD

Ambasada e SHBA-së: Prokuroria duhet të jetë autonome, prokurorët të mbikëqyren

Saranda Ramaj Saranda Ramaj 12 January 2020 07:00

Sistemi i drejtësisë duhet të dëshmojë rezultate konkrete në hetimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion. Për t’u arritur kjo, gjyqtarët, prokurorët dhe Policia, duhet të kenë performancë të njëjtë dhe të lartë, kanë thënë zyrtarët e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Dy zyrtaret e Ambasadës amerikane, Lana Owens, punonjëse në Departamentin e Drejtësisë dhe këshilltare rezidente ligjore në Kosovë dhe Alison Storsve, zëvendësdrejtoreshë në seksionin politik dhe ekonomik në Ambasadën amerikane në Kosovë, në një intervistë për “Kohën Ditore” kanë ndarë mendimin e përbashkët se tri hallkat kryesore të sistemit të drejtësisë jo çdoherë janë shfaqur në nivelin e duhur të profesionalizmit.

Ndërsa, duke folur në mënyrë të veçantë për Prokurorinë Speciale, ato kanë thënë se ajo duhet t’i paraqesë mirë rastet në gjykim dhe që publiku ta ketë besimin se ajo e ka kryer punën e vet.

Owens dhe Storsve nuk kanë dashur të komentojnë aktgjykimin në rastin “Pronto”, por kanë insistuar që për proceset hetimore të ketë më shumë mbikëqyrje, për t’u siguruar që aktakuzat dhe hetimet të rishikohen nga disa prokurorë para se të dorëzohen në gjykatë. Kanë treguar se në vendet demokratike, institucionet e drejtësisë janë të pavarura, por puna e individëve brenda tyre mbikëqyret.

“Këtu në Ambasadë dhe në praktikat më të mira amerikane, e ke gjithnjë dikë që e shikon punën tënde”, ka thënë Owens.

KD: Cili është roli dhe mandati i Prokurorisë Speciale në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe shpëlarjes së parave në sistemin prokurorial dhe të drejtësisë?

Owens: Mendoj se ligji në të vërtetë e mandaton se cili duhet të jetë ai rol dhe mendoj se nuk lë hapësirë për interpretim, ligji është shumë i qartë rreth asaj se cilat raste duhet t’i ngarkohen dhe t’i ndjekë penalisht Prokuroria Speciale. Mendoj se një prej mesazheve që jemi munduar t’ua përçojmë Prokurorisë Speciale dhe Zyrës së kryeprokurorit është se posa që një hetim ka mbërritur në një pikë të caktuar, posa që një prokuror është caktuar për rastin, pavarësisht se nga cila zyrë, rasti duhet t’i lihet atij prokurori; kjo është praktika dhe mënyra më efikase për ta udhëhequr një hetim.

Një gjë tjetër të cilën ne e inkurajojmë është që mbase të caktohen më shumë se një prokuror. Për shembull, nëse rasti fillimisht nuk ka përfshirë shpëlarjen e parave, por në vijimësinë e hetimeve shpëlarja e parave është bërë e dukshme, atëherë mbase mund të caktohen dy prokurorë: njëri me përvojë në rastet e shpëlarjes së parave dhe tjetri nga zyra themelore. Mendojmë se ky mund të jetë përmirësim që do të mund të bëhej.

Storsve: Në përgjithësi do të thosha se ne jemi avokues, si Qeveri e SHBA-së, që shtetet të kenë prokurori speciale që do të trajtonte rastet super-delikate. Në Kosovë jemi të kënaqur me zhvillimet e vitit të kaluar, të cilat kanë të bëjnë me degën korresponduese speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës që do të funksionojë krahas Prokurorisë Speciale, në mënyrë që këto raste të mbahen në një kategori të ndarë dhe të trajtohen si nga Prokuroria e Specializuar ashtu edhe Gjykata e Specializuar....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme