Arbëri

Sot ritakohen Kurti me Mustafën

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa, e kanë paralajmëruar edhe një tjetër ritakim për ditën e sotme, e enjte, në orën 14:00.

Lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes së koalicionit, nga të dyja këto parti janë shprehur optimistë derisa kanë dhënë indikacione për intensifikim takimesh e përafrim të marrëveshjes, raporton Koha.net.

Por pavarësisht këtyre, pas një takimi treorësh mes tyre gjatë ditës së djeshme ata prapë dolën pa marrëveshje. Pas diskutimeve triorëshe, të mërkurën dy subjektet kanë dhënë nga një deklaratë të shkurtër dhe të koordinuar.

Fillimisht zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka folur para mediave duke thënë se “ka lëvizje në përpjekjen për arritjen e marrëveshjes”, teksa ka paralajmëruar takimin e radhës.

Pak minuta më vonë është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.

“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër (sot, e enjte)”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Isa Mustafa bashkë me vartësit e tij është larguar prej Kuvendit nga hyrja përballë sheshit “Ibrahim Rugova”, ku ishin të vendosura mediet, por ka refuzuar të deklarohej. Ndërkaq Kurti ka shfrytëzuar daljen zyrtare, ku gazetarët nuk kanë pasur qasje, raporton Koha.net.

Pak para takimit Kurti ka deklaruar se bisedimet kanë rifilluar dhe se së shpejti do të ketë marrëveshje, ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme të shihet nëse do të arrihet marrëveshje.