Harxhohen vaksinat e gripit sezonal në QKMF, MSH-ja thotë se ka rezerva

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 08 January 2020 20:20

86-vjeçari Skënder Skenderi, të mërkurën ka ardhur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare që të vaksinohet kundër gripit.

Por, kjo nuk ka qenë e mundur, shkaku i mungesës së kësaj vaksine, raporton KTV.

Ai tregon se disa herë kishte ardhur këtu për ta marrë vaksinën, por për arsye se kishte shumë persona që prisnin në radhë, është kthyer prapa.

Instituti i Shëndetit Publik, vazhdimisht është duke u bërë thirrje personave me sëmundje kronike dhe të moshuarve që të vaksinohen kundër virusit A të gripit i cili është duke qarkulluar në Kosovë.

Disa nga të moshuarit e tjerë, të cilët janë vaksinuar, thonë se më lehtë po i përballojnë gripat sezonalë.

Sipas mjekëve, numri i të interesuarve që të marrin vaksinën kundër gripit është i madh.

Mbi 10 mijë është numri i vaksinave vetëm në këtë qendër mjekësore që kanë marrë kryesisht të moshuarit dhe fëmijët për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se janë njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik se ka ende në dispozicion vaksina të tilla.

Sipas një përgjigjeje të Ministrisë, thuhet se njësitë e vaksinimit të QKMF-ve duhet të mbajnë kontaktet me Institutin lidhur me furnizimet sipas nevojave dhe kërkesave reale.

“IKSHKP ka njoftuar këtë javë se ka ende në dispozicion vaksina kundër gripit sezonal, për vaksinimin e kategorive të qytetarëve që kanë indikacione për marrjen e kësaj vaksine (të moshuarit, shtatzënat dhe personat me sëmundje kronike). Njësitë e vaksinimit të QKMF-ve duhet të mbajnë kontaktet me IKSHKP-në. lidhur me furnizimet sipas nevojave dhe kërkesave reale”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Nga kjo Ministri gjithashtu kanë thënë se vaksinimi mund të kryhet gjatë tërë sezonit sa mund të zgjasë gripi dhe se ka efekte parandaluese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme