4 perditesime
21:13

Kastrati: Kurti dëshiron të bëhet babai i kombit

Politologu Ardian Kastrati ka thënë se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me veprimet e tij në negociatat me LDK-në për formimin e qeverisë dhe veprimet tjera para e pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ka treguar se dëshiron të bëhet “babai i kombit”.

Sipas Kastratit, “kurtizimi” i proceseve politike ka nisur qe një kohë. Ai ka thënë në Rubikon të KTV-ja se Kurti po synon diçka më shumë se marrjen e pushtetit.

“Çështja është te ‘kurtizimi’ i proceseve politike. Shihni trajektoren e udhëtimeve nëpër Ballkan. Ato 67 intervista në Tiranë. Zbritja graduale e narracionit nacionalist në Tiranë në terma anti-korrupsion dhe simbolika e Blerim Rekës dhe takimet e tij, sepse analizat i bëjmë pak me informatë pak me analizë... Ky në rrugën e tij për t’u bërë baba i kombit i është dashur kalaja e Ahtisarit për të cilën u zhagit nëpër trotuaret e Prishtinës. Kur e merr këtë kala ai shpërthen në projeksionin e madh, rajonal. Të dalim nga kutia se a i merr pesë ministri apo çka. Jo rastësisht, ‘kurtizimi’ si proces ka filluar dhe ai e tejkalon Kurtin si figurë politike”, ka thënë Kastrati.

Sipas Kastratit, Kurti ka keqpërdorur LDK-në dhe Vjosa Osmanin para dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Brutalisht e ka keqpërdor Vjosën si kolonë e pestë në LDK. Edhe para zgjedhjeve jo veç pas zgjedhjeve sepse e futi në diskursin ku Vjosa në vend se të merrte tonin e moderuar në fushatë, ajo mori diskursin me kritika e sharje ndaj ish-qeverisjes, e Albini doli në gjuhë më të moderuar. Kjo ishte humbja e parë. E di që është këmbëngulës në objektivat e tij. Është projeksion për të qenë baba i kombit. E ka keqpërdorur LDK-në”, ka deklaruar më tej Kastrati.

Sipas tij, nëse s’do të ketë qeveri Kurti, do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse.

“Nëse nuk do të ketë qeveri Kurti, e unë them ishalla ka, unë them që do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse, kjo për shkak se do të ketë presion ndërkombëtar për lidhur me procesin e dialogut. Jo rastësisht janë shtyrë zgjedhjet në Serbi”, ka thënë Kastrati.

20:52

Gashi: Mosbesimi ka bllokuar marrëveshjen VV-LDK

Image

Gazetari i Kohës Ditore, Fitim Gashi, ka thënë se mungesa e besimit mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shkaktuar bllokimin e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se të dyja partitë kanë treguar mosbesim për njëra-tjetrën.

“U përmendën shumë befasi që Kurti ia ka bërë LDK-së, por mendoj se nga fillimi mosbesim ka pasur edhe nga LDK-ja. Fillimisht LVV i bëri kërkesë për marrëveshje LDK-së mirëpo ata refuzuan duke thënë se ta shohim se kush po del i pari. Refuzoi edhe bisedimet pa u publikuar përfundimisht rezultati”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, dështimi i arritjes së marrëveshjes mund të bëhet vetëm për shkak të posteve, pasi, “tashmë s’ka kthim prapa për pozitën e kryeparlamentarit, të cilën e mori VV-ja”.

“Premtimi ishte për qeveri, për luftim korrupsioni, zhvillim ekonomik. Asnjëherë s’u përmend posti i presidentit. S’mund të themi se ka hezitim të Kurtit për të marrë postin. Sepse ka pas veprime, por LDK-ja pos kërkesës për zotim për vota, ka qenë më e ngurtë sa e përket negociatave. Ka pas prej fillimit mospajtime. Te posti i presidentit, LDK-ja ende s’e ka sqaruar edhe mënyrën apo emrin për president. Nëse VV-ja ia garanton 29 votat, atëherë si do të bëhet kuorimi për votim. Ka lindur dyshimi se LDK-ja do të kërkojë partneritet te partitë tjera në Kuvend  për t'ia votuar presidentin. Dështimi i marrëveshjes mund të bëhet vetëm për shkak të posteve. S’ka kthim prapa për pozitën e kryeparlamentarit. Kurti s’do ta propozonte njeriun e dytë të partisë për ta djegur më vonë”, ka deklaruar më tej ai.

Megjithatë, sipas Gashit, takimi i fundit mes dy partive ka dhënë shenja se mund të arrihet një marrëveshje.

20:32

Salihu pret që frika e VV-së dhe LDK-së do të çojë në arritjen e koalicionit

Image

Opinionisti Fitim Salihu është shprehur optimist se Vetëvendosje dhe LDK-ja do të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Sipas tij, pavarësisht ngecjeve në negociata për formimin e qeverisë, është “frika” ajo që do t’i bashkojë në fund.

“Jam optimist se do të kemi koalicion përkundër hezitimit nga palët. Besoj se Vetëvendosje dhe Kurti do të pajtohen nga frika se kjo mund të jetë mundësi e artë e humbur për qeverisje dhe frika e LDK-së për rezultatin në zgjedhjet e ardhshme potenciale”, ka thënë ai.

Sipas tij, marrëveshja do të arrihet pa pasur nevojë për intervenim nga miqtë ndërkombëtarë.

20:29

Qorrolli më afër i sheh zgjedhjet e reja se marrëveshjen VV-LDK

Image

Opinionisti Vigan Qorrolli ka thënë se në situatën në të cilën janë aktualisht negociatat mes Vetëvendosjes e LDK-së për formimin e qeverisë, më afër shihen zgjedhjet e reja se arritja e marrëveshjes.

Sipas tij, megjithatë ka një “dritë në fund të tunelit, por që është shumë e vogël”.

Duke komentuar negociatat mes dy partive, Qorrolli ka thënë se duke parë taktizimet e deritashme në skenën politike në Kosovë, nuk përjashtohet një koalicion më i gjerë në fund, bashkë edhe me AAK-në e Nismën.

“Në situatën në të cilën jemi, unë më afër i shoh zgjedhjet e reja se sa një marrëveshjes mes LDK-së e VV-së. Besoj që megjithatë ka dritë në fund të tunelit por shumë e vogël”, ka thënë ai. “Mund të ketë në momente të fundit një ide që mund të përfshihet edhe AAK-ja dhe Nisma, por pa PDK-në në një marrëveshje më të gjerë”.

Sipas tij, dialogu do të jetë pengesë reale e një koalicioni VV-LDK.

Ai ka thënë se në vazhdimin e takimit mes krerëve të partive, të mërkurën, pret që LDK-ja të kërkojë minimalisht gjysmën e qeverisë dhe postin e presidentit.

20:18

Sipas Kastratit, Kurti s’është i gatshëm për të qeverisur

Image

Sipas politologut Ardian Kastrati, bllokimi i negociatave mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë është bërë për shkak të liderit të VV-së, Albin Kurti.

Në Rubikon të KTV-së, Kastrati ka thënë se Kurti nuk është i gatshëm të qeverisë me vendin, duke “ditur proceset që e presin”.

“Kurti nuk është i gatshëm për t'i hyjë këtij procesi për të shkak të sfidave, përfshirë atë të dialogut me Serbinë. Ai e di se qysh në ditën e parë do të përballet me presionin e miqve ndërkombëtarë për këtë çështje. E di që vetë me LDK-në nuk mundet t’i kryejë këto dhe për këtë arsye po i bën këto taktizime ndaj LDK-së duke i poshtëruar ata në faza të ndryshme të negociatave”, ka thënë Kastrati.

Sipas Kastratit, edhe para zgjedhjeve është parë se mes dy partive politike nuk ka besim.