Sejdiu: Mjekët po largohen, t’i motivojmë që të japin kontributin në vendin e vet

Sejdiu: Mjekët po largohen, t’i motivojmë që të japin kontributin në vendin e vet

02 January 2020 13:41

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, thotë se viti që lëmë pas për këtë institucion dhe sistemin shëndetësor në vend ka qenë vit i suksesit, pasi janë bërë investime të shumta në shumë klinika me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët.

Sejdiu në një intervistë për KosovaPress, ka folur për investimet që kanë bërë, furnizimin me barna të listës esenciale, furnizimi me aparatura dhe për planet që kanë për vitin që sapo kemi hyrë.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, thotë se gjatë vitit që e kemi lënë pas janë realizuar dy projekte të rëndësishme, siç është trajtimi i infarktit akut në dy orët e para dhe “strock center” apo trajtimi i infarktit në tru.

Sejdiu thotë se këto dy projekte janë tejet të rëndësishme për jetën e pacientëve.

“Mund të themi me krenari se viti 2019 për sistemin shëndetësor në Kosovë, në fakt për ShSKUK-në mund të jetë edhe vit historik. Kur e them këtë bazohem në dy projekte nacionale e që janë trajtimi i infarktit në dy orët e para, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, si dhe strock center apo trajtimi i infarktit në tru. Trajtimi i infarktit akut në dy orët e para është një projekt të cilin nuk e kanë të gjithë në rajon, është projekt shumë i rëndësishëm për popullatën dhe për pacientët tanë, ku shihen rezultatet në terren shumë jetë janë shpëtuar, shumë procedura janë kryer, rreth 3 mijë e 500 intervenime janë bërë procedura invazive, mbi 330 intervenime në zemër në Kardiokirurgji dhe të gjitha këto flasin që mund të themi që është vit historik sa i përket këtyre dy projekteve, të cilat e kanë rëndësinë e vet të veçantë”, thotë ai.

Kreu i ShSKUK-së thotë se gjatë vitit 2019 nuk ka ndodhur asnjëherë të përballen me mungesë të barnave të listës esenciale, e në këtë sipas tij, ka ndikuar digjitalizimi i shërbimit farmaceutik.

“Sistemi i menaxhimit të stokut farmaceutik, që neve na ka lehtësuar shumë ndërtimi i 101 barnatoreve klinike dhe reparteve, futja e softuerit dhe digjitalizimin e shërbimit farmaceutik, na ka mundësuar që të kemi një planifikim më të mirë, një monitorim dhe kontroll të barnave të cilat hyjnë në ShSKUK dhe kjo ka rezultuar që të kemi një furnizim të kënaqshëm, bile edhe krijim të stoqeve për fillim vitin 2020”, thotë Sejdiu.

Sejdiu thotë se gjatë vitit 2019 janë bërë investime të shumta në furnizimin e klinikave me aparaturë. E krejt ky investim, ai shton se ka ndikuar që të këtë shërbime më cilësore për pacientët dhe të cilat janë më pak të kushtueshme.

Ai tregon se mbi 6 milionë euro kanë investuar në aparaturë në të gjitha klinikat e QKUK-së, ndërsa përmend se një vit më parë kanë pasur investime rreth 3.5 milionë euro.

“Gjithmonë duke llogaritur pacientin në qendër, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe cilësinë e këtyre shërbimeve, atëherë nuk bënë pa e përmend edhe disa klinika. Kisha për ta përmendur Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku patën operacionin me VATS, që nënkupton një lloj laparaskopi që hyhet me metoda minimale invazive në operacione. Furnizimi me laparaskop i Klinikës së Gjinekologjisë veç ka filluar operacioni i parë, do të thotë me heqjen e mitrës pa ndonjë metodë kirurgjikale klasike, por me minimal invaziv. Kemi Klinikën e ORL-së, ku është blerë trajtimi i shumë sëmundjeve, patologjive në Klinikën e ORL-së me metoda minimal invazive siç është trajtimi i sinuseve. Blerja e pajisjeve në Oftalmologji, që nënkupton biomikroskopin dhe blerjen e materialit tjetër shpenzues që ka bërë që Klinika e Oftalmologjisë të avancojë me metoda më moderne të trajtimit dhe më të lehta për pacientin. Blerja e shumë e shumë pajisjeve tjera nëpër klinika, edhe në Kirurgji janë blerë shumë laparaskop, sallat operative me pajisje më moderne, krijimi i infrastrukturës së re. Të gjitha këto kur mblidhen bashkë krijojnë shërbime cilësore të lehta për pacientin dhe më pak të kushtueshme”, thotë ai.

I pari i ShSKUK-së thotë se kanë bërë blerjen e materialit shpenzues në mungesë të të cilit pacientët janë dërguar jashtë institucioneve publike për trajtim, e që ky referim thotë se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe të pacientëve.

“Kodi 2.1 milionë, që nënkupton blerjen e materialit shpenzues në mungesë të të cilit pacientët janë dërguar jashtë për trajtim, jashtë institucioneve publike me një kosto financiare mjaftë të madhe për buxhetin e shtetit, po edhe për xhepin e pacientëve. Këtu kemi futur Oftalmologjinë tani është bërë një furnizim i kënaqshëm me thjerrëza me shumë material tjetër të cilin e kanë blerë pacientët apo janë dërguar pacientët për trajtim jashtë. E kemi futur Ortopedinë në blerjen e shumë protezave, të cilat ose i ka blerë pacienti ose me tre nënshkrime janë dërguar jashtë të trajtohen. Kemi edhe Kliniken e Kardiokirurgjisë ku gjithashtu janë krijuar stoqe të materialit shpenzues, i cili më herët ka munguar, mungesa e valvulave, mungesa e shumë gjërave të cilat ia kanë pamundësuar operatorëve t’i kryejnë në klinikat e veta, por zakonisht janë përdorur metoda të referimit jashtë institucioneve publike. Këtu kemi futur edhe Radiologjinë, e cila është në fakt një pjesë e strock center apo Radiologjinë intervente edhe ata kanë bërë blerje të materialit shpenzues, janë blerë shumë aparate digjitale radiologjike”, potencon ai.

Ai thotë se me blerjen e këtij materiali shpenzues është ndalur referimi jashtë institucioneve publike, e që sipas tij, ka ndikuar që të kursehen miliona euro.

“Sa i përket kursimeve, ndalja e referimit jashtë institucioneve publike janë kursyer miliona euro, për Kardiokirurgji deri në 15 milionë euro, mandej vetëm blerja apo shndërrimi i blerjes së CD-ve që atëherë kanë qenë filma me aparat të ri kemi bërë transformimin janë kursyer vetëm këtë vit 4 milionë euro. Kemi kursyer mjaftë shumë, qoftë me shërbime, qoftë me material shpenzues dhe krejt kjo na bënë që ne buxhetin ta orientojmë në atë formë që vërtetë të jetë në funksion të institucionit, e institucioni në funksion të pacientit”, thotë ai.

I pari i ShSKUK-së ka folur edhe për ligjin e pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetutese, për të cilin ligj thotë se ka qenë mjaftë i mirë për mjekët dhe infermierët.

Sipas tij, rritja e pagave do të ndikonte që të ndalej migrimi i mjekëve, pasi që do të kishin motiv për të punuar në vendin e tyre.

“Qysh ditën e parë kur ka hyrë në fuqi ka qenë një lajm shumë i mirëpritur edhe për institucionin tonë, po edhe për stafin që punon, sepse motivimi i stafit dhe ngritja e këtyre pagave vërtetë është gjëja më e mirë që mund të ndodhë kur është fjala për mjekët dhe infermierët. Mandej ka qenë që me akte nënligjore, me amendamente të rregullohet çështja e profilizimit që nuk ka ndodhur me këtë pako, mirëpo kthimi në pikën zero që mjekët të mos paguhen me një pagë dinjitoze që edhe e meritojnë, mendoj që nuk është e dobishme, sepse në këtë fazë qysh janë edhe regjioni edhe krejt bota shihet që mjekët migrojnë, do të thotë është një investim shumë i gjatë, është një nevojë shumë e madhe dhe tash shihet që nevoja për mjekë në Evropë, në Gjermani është mjaftë e madhe dhe rruga më e mirë është që ne t’i motivojmë që të japin kontributin në vendin e vet”, thotë ai.

Gjithashtu, Sejdiu thotë se gjatë vitit 2019, kanë investuar edhe në spitalet regjionale, për çka thotë se do të vazhdojnë edhe gjatë vitit që sapo kemi hyrë.

Sejdiu ka folur edhe për planet që i kanë për vitin 2020, ku tha se do të vazhdojnë t’i avancojnë të gjitha shërbimet, të përfundojnë projektet të cilat veç kanë filluar dhe ngritjen e shërbimeve të reja.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme