Arbëri

Haradinaj: AAK-ja nuk u frikësohet zgjedhjeve të reja

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se kjo parti nuk u frikësohet zgjedhjeve të reja.

Pas përfundimit të seancës, ku është bërë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dhe nënkryetarëve, ai tha se AAK-ja pret që sa më shpejt të bëhet formimi i qeverisë.

“Ne nuk u frikësohemi zgjedhjeve, por meqenëse kishim zgjedhje ne presim që sa më shpejt të kemi ekzekutivin e ri. Por, prapë se prapë ne këtu jemi sido që të vendoset. Tashmë kemi parlament”, tha ai, raporton KP.

Ai tutje ka theksuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë në opozitë gjatë këtij mandati, parti kjo të cilës i takojnë 13 deputetë. Në seancën e sotme është votuar pro zgjedhjet së Glauk Konjufcës si kryetar kuvendi. E po ashtu janë betuar deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.