Arbëri

Gjatësia e letrave të duarve, si dhe letrës së tualetit kthen në rivlerësim tenderin prej 150 mijë eurosh

Descriptive Text

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka kthyer në rivlerësim tenderin e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (ShSKUK), për "Furnizim me material higjienik", vlera e paraparë e të cilit është 152 mijë e 250 euro.

Arsyet pse Gjykata e Tenderëve ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës të ShSKUK-së janë mungesa e vlerësimit të gjatësisë së letrës së tualetit, si dhe ajo e letrës së duarve. Sipas vendimit të OShP-së, i cili është marrë këtë javë, vlerësimi i ofertave nga ana e ShSKUK-së nuk është bërë në përputhje me ligjin. Gjatë procesit të rivlerësimit OShP-ja ka kërkuar që mostrës së letrës së duarve t’i numërohen fletat, si dhe mostrës së letrës së tualetit t’i matet gjatësia, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë vendim OShP-ja e ka marrë pasi që e ka shpallur si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik "Euro Kosova". “Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me material higjenik", me nr. të prokurimit: 701-19-4080-1-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues - Shërbimi Spitalor, Klinik, Universitar i Kosovës dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së. SHSKUK-ja kishte vendosur që këtë kontratë t’ia jepte operatorit ekonomik NTP “Troja”.

Pas këtij vendimi Autoriteti Kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informojë me shkrim panelin shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas vendimit të OShP-së, ShSKUK-ja gjatë zhvillimit të kësaj procedure tenderuese ka shkelur nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Paneli shqyrtues, duke u bazuar në shkresat e lëndës të cilat i ka pasur në dispozicion, si dhe në sqarimet e ekspertes profesionale të prokurimit, vjen në përfundim se ekzaminimi vlerësimi dhe krahasimi i ofertave nuk janë bërë konform nenit 59 te LPP-së”, thuhet në vendimin e OShP-së.

(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)