Arbëri

Sipas Molliqajt, VV-LDK s’dallojnë nga PAN-i për dialogun me Serbinë

Dardan Molliqaj, kryetar i ri i PSD-së, ka thënë se Vetëvendosje dhe LDK-ja që po përpiqen të formojnë qeverinë, nuk dallojnë nga koalicioni PAN që është në qeverisje në ikje, në pikën e dialogut me Serbinë.

Molliqaj, që sapo ka marrë postin e të parit të PSD-së, pas dështimit në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se e sheh si gabim “sjelljen racionale përballë partie populiste”.

“U bënë më shumë se një vit e gjysmë dhe pati mjaftueshëm zhvillimet politike e në veçanti zgjedhjet që prunë këtë rezultat zgjedhor. Menjëherë pas rezultatit filluan diskutimet dhe vlerësimet se çka ishte arsyeja kryesore që solli këtë rezultat për Partinë Socialdemokrate. Ne e kishim të qartë që modeli qeverisës i qeverisë që ishte, pra PAN-i, nuk ishte as modeli që e dëshironim as vlerësonim, por konsideruam se si një sjellje racionale do të ishte zgjidhje e duhur, pasi dinim se dy partitë tjera s’ishin ndryshe në ato tema, për dialogun. Gjithçka njëjtë, te dialogu. Përveç ndërrojnë emrat, jo qëndrimet, e jo platformat”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Ai ka thënë se Vetëvendosje u mundua të mashtrojë opionionin pas fotografive të takimit të Xhelal Sveçlës me Marko Gjuriqin.

“Ne kemi qenë në ato takime, por ajo që pamë ishte se kishte një mashtrim. S’ka problem të takohesh me Gjuriqin, por fakti që u mohua se edhe darkën e kafen e ka organizuar organizatori. Në pjesën zyrtare janë të caktuara ulëset, e në pjesën jozyrtare mund të uleni ku të doni. Ishte mashtrim publik”, ka thënë ai.

Sipas tij, tash “PSD-ja në këtë situatë popullizmit s’do t’i përballemi me racionalitet por me kritikë”.

Ai ka thënë se ish-kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, që është kryetar i Prishtinës, po “bën qeverisjen më të mirë komunale në Kosovë”.

Molliqaj po ashtu ka treguar se çka çoi në zgjedhjet e reja në PSD dhe si ia doli ai të bëhej kryetar.

“Besoj që jo shumë më herët se 10 ditë para Kuvendit, ajo që ishte e qartë ishte që e kishim bindjen e thellë për rrugën që duhet të ndjekë Partia Socialdemokrate, profilizimin dhe politikat”, ka thënë ai. “Në konsultim me të gjithë bashku, kemi vendosur që unë të jem kandidat për kryetar. Kam insistuar që votimi të jetë i fshehtë. Janë propozuar disa kundërkandidatë të cilët nuk e kanë pranuar kandidaturën për arsye të ndryshme dhe pastaj në garë kam qenë i vetëm”, ka thënë Molliqaj.