Arbëri

IuteCredit konteston revokimin e licencës në Kosovë

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Kompania ndërkombëtare e mikrokredisë dhe fintech (teknologjisë financiare) IuteCredit Europe do ta kontestojë vendimin e papritur dhe të pajustifikuar të Bankës Qendrore të Kosovës për revokimin e licencës së saj.

IuteCredit konfirmon që performanca e grupit të saj nuk do të ndikohet nga revokimi i licencës, pasi dega e Kosovës përbën një pjesë të vogël të portofolit të kompanisë.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të IuteCredit Europe, Tarmo Sild, revokimi i licencës ishte i papritur për kompaninë, por ndikimi i tij financiar në grupin IuteCredit është minimal.

“Ne kemi hyrë në tregun e Kosovës vetëm dy vjet më parë dhe në fakt ende jemi duke operuar atje si kompani fillestare, e cila vetëm tani ka filluar t’i arrijë qëllimet e saj. Ne patëm dorëzuam plane të reja biznesi tek autoritetet lokale dhe prisnim komentet për ato plane”, tha Sild.

Sipas IuteCredit, aktualisht janë duke punuar si me këshilltarët ligjorë, ashtu edhe me autoritetet lokale, në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e biznesit në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të minimizojë ndikimin negativ të situatës si për kompaninë ashtu edhe për investitorët.

“Sot dega jonë në Kosovë përbën 12,4%, d.m.th. 9,3 milionë euro të portofolit kreditor të grupit tonë. Prandaj, ne konsiderojmë që situata nuk do të ketë ndikim të madh për grupin tonë. Arkëtimi i vazhdueshëm i të arkëtueshmeve nga klientët vazhdon të kontribuojë në të ardhurat tona, mbështetur nga një sjellje shumë e mirë e shlyerjes së kredive nga klientët në Kosovë”, shtoi Sild.

Sipas BQK-së, arsyeja e revokimit të licencës është se ICKO nuk ka siguruar aplikimin e normës efektive të interesit të komunikuar në planin e biznesit në kohën e dorëzimit të tij në vitin 2017.

“Kjo është një arsye imagjinare. Në vendet me tregje efektive, plani i biznesit është dokument që i përket kompanisë dhe qëllimi i tij është të ndihmojë në arritjen e qëllimit të kompanisë. Koncepti i ‘planit të biznesit’ nënkupton një plan specifik. Kompania gjithashtu ka të drejtë të bëjë ndryshime në këtë plan, nëse është e nevojshme për t’i përmbushur qëllimet e saj. Sidoqoftë, legjislacioni i Kosovës nuk ka paraparë asnjë tavan maksimal të normës së interesit”, theksoi Sild.

Këtë vit, IuteCredit ka dhënë kredi me APRC prej 59%. Si krahasim, Estonia ka një APR maksimale prej 58%. “Me fjalë të tjera, pagesa mujore e një frigoriferi për 500 euro për 12 muaj është 56,4 euro. Prandaj, nuk është asgjë e jashtëzakonshme”, shtoi Sild.

Sipas Tarmo Sild, është për keqardhje që mungesa e legjislacionit mbi normat efektive të interesit dhe tavanet përkatëse e bën ofertën e produkteve kreditore më të ndërlikuar në një ekonomi në zhvillim. “Ndërkohë, portofoli ynë aktual, procesi i operacioneve në mbledhjen e kredive dhe ekipi ynë në Kosovë janë të jashtëzakonshëm. Prandaj, sot mund t’ua konfirmojmë investitorëve tanë se do të vazhdojmë t’i përmbushim qëllimet tona për vitin 2019″.

Për ta mbrojtur kompaninë, në veçanti, punonjësit, partnerët afaristë dhe investitorët e IuteCredit, kompania thotë se po bashkëpunon me firmat juridike ndërkombëtare dhe gjithashtu vazhdon të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet rregullatore në Kosovë.

IuteCredit është një kompani ndërkombëtare e mikrokredisë dhe fintech (teknologjisë financiare) me origjinë nga Estonia, e cila përqendrohet kryesisht në kreditë me këste, përfshirë këtu kreditë për vetura. Periudha mesatare e kredisë është një vit. Sot, IuteCredit thotë se është një kompani lidere e mikrokredisë në Evropë, me një bilanc prej 100 milionë euro dhe më shumë se 200.000 klientë aktivë.

Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kosovë, dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Portofoli i partnerëve afaristë të IuteCredit përfshin shërbimet postare shtetërore, operatorët telefonikë ndërkombëtarë si Orange, VodaFone, Deutsche Telekom, dyqanet e mëdha të elektronikës, etj./kosovapress/