AGK i bashkohet thirrjes së mediave të Shqipërisë për tërheqjen e paketës ligjore “anti-shpifje”

AGK i bashkohet thirrjes së mediave të Shqipërisë për tërheqjen e paketës ligjore “anti-shpifje”

16 December 2019 11:30

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se i bashkohet thirrjes së gazetarëve dhe medieve shqiptare, organizatave të medias, të shoqërisë civile si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat kërkojnë nga qeveria shqiptare të tërheqë paketën ligjore “anti-shpifje” që i është propozuar Kuvendit.

Sipas AGK-së, me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mediat audiovizuale dhe Ligjin për komunikimet elektronike, Autoriteti i Medieve Shqiptare (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike (AKEP) do të lejohen të bllokojnë menjëherë faqet e internetit të medieve, të vendosin gjoba të papërballueshme për gazetarët dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve.

Ata thonë se edhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Désir paralajmëroi se “gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt.

“Thirrjes për tërheqjen e dy projektligjeve që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, i janë bashkuar edhe Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve (EFJ / IFJ). Sipas tyre propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe do të kishin një ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

AGK vlerëson se këto dy drafte e censurojnë drejtpërdrejt median online dhe rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes. E drejta e fjalës, në çdo vend demokratik trajtohet nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme