Qytetarët të indinjuar pse VV e LDK s’po merren vesh për formimin e Qeverisë

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 15 December 2019 19:12

Që nga shpallja e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, më 7 nëntor, përfaqësues e lider të Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë vazhduar me takime për të arritur formimin e një koalicioni qeverisës.

Por, edhe pas rreth 2 muajsh që nga zgjedhjet, këto dy parti nuk kanë arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur, raporton KTV.

Madje, edhe këtë të diel u raportua për një takim të mundshëm, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ngecja në bisedime dhe pozita e presidentit e kërkuar nga LDK-ja, kanë bërë që javëve të fundit, rrjeti social Facebook të mbushet me reagime nga shumë persona.

Personat me pozita në institucione, por edhe qytetarët, kanë shprehur qëndrimet e tyre rreth këtyre bisedimeve.

Madje, takimet e liderëve të të dyja partive u kthyen edhe në humor nga persona e nga faqe të ndryshme satirike.

Por qytetarët, ndonëse thonë se LDK-ja nuk duhet të jetë kaq këmbëngulëse, presin një marrëveshje mes VV-së e LDK-së. Sipas qytetarëve, posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve, pasi që kandidati nuk duhet të jetë partiak.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pas shumë takimeve nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje finale, presidenti i Kosovës ka thirrur seancë për konstituimin e Kuvendit, më 26 dhjetor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme