Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës vozisin “Land Roverat” e “Bechtel-Enkas”

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës vozisin “Land Roverat” e “Bechtel-Enkas”

Saranda Ramaj Saranda Ramaj 14 December 2019 07:50

Tri vetura të tipit “Land Rover” dhe dy të tjera “Ford Mondeo”, konsorciumi “Bechtel-Enka” ua kishte vënë në “funksion” zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët ishin pjesë e njësisë implementuese të autostradës “Arbën Xhaferi” (Prishtinë – Han i Elezit).

Pesë zyrtarët shtetërorë, me këto vetura, pronare e të cilave është “Bechtel-Enka”, e kanë “monitoruar” punën e ndërtuesit të autostradës, shkruan sot Koha Ditore. Përveçse i shfrytëzojnë këto vetura, gazeta është informuar se edhe karburantet ua mbulon po konsorciumi amerikano-turk, që është përzgjedhur për realizimin e këtij projekti rrugor.

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kanë qenë përgjegjës për të mbikëqyrur zbatimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit ende vazhdojnë t’i vozisin këto vetura. Të kontaktuar nga gazeta, këta zyrtarë kanë thënë se një gjë e tillë është paraparë në kontratën me “Bechtel-Enkan”.

“Land Rover” është lloji i veturës të cilën e ka në përdorim edhe drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha. Berisha qe afro një vit nuk është i angazhuar në Ministrinë e Infrastrukturës. Para se të bëhej drejtor në Aviacionin Civil, ai ishte këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në cilësinë e këshilltarit të Lekajt, Berisha përmendet si person që ka qenë në komunikim me kompaninë “Hill International”. Kjo kompani kishte rekomanduar që pagesat në emër të vonesave në vlerë të 53 milionë eurove për “Bechtel-Enkan” të mos paguhen për shkak se nuk ishte arsyetuar se si kjo vonesë e ka shkaktuar dëmin dhjetëramilionësh. Ky raport ishte “fshehur” nga Komiteti Ndërministror. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme