Arbëri

Tahiri: Opozitarizmi dhe negociatat VV-LDK, dëshmi e një modeli të plogësht, pa ide e pa zgjidhje

Descriptive Text

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se shembulli të cilin po e japin LDK-ja e VV-ja me gjuhën e përdorur së fundi, është dëshmi se do të kenë një model të plogësht në qeverisje, pa ide e pa zgjidhje.

Tahiri ka thënë se Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve.

“Është për keqardhje që në mënyrë kaq irracionale e me deklarata pompoze, Hoti flet për transparencën, kur as pas dy vite opozitarizmi të përbashkët, dhe as pas dy muajsh negociata, transparenca e LDK-së dhe VV-së nuk ka kaluar më shumë se një fjali: ‘u pajtuam që të merremi vesh’”, ka shkruar Tahiri.

“Thanë se kanë harmonizuar qëndrimet e asnjë qëndrim s’është bërë i njohur. Thanë se kanë bashkuar programin, por asnjë shkronjë prej tij s’e kanë prezantuar për informim të qytetarëve. Thanë edhe shumë gjera të tjera, përderisa me vepra po dëshmojnë se ky standard i ri i transparencës, është asgjë më shumë, sesa mungesa e plotë e saj”, ka shtuar më tej Tahiri.

Në fakt, ka thënë më tej ai, kjo është veçse një dëshmi pararendëse e modelit të qeverisjes që LDK-ja dhe Vetëvendosja presin t’ua shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Një model i plogësht, pa ide e pa zgjidhje, kreativiteti i të cilit nuk shkon më larg sesa kamuflimi i lodhtë i Avdullah Hotit rreth transparencës që na pret”, ka thënë ai.