Qindra pacientë janë kthyer këtë të premte pa marrë shërbime nga institucioni më i madh shëndetësor në vend QKUK.
Greva e mjekëve e nisur qysh në orën 7 të mëngjesit, ka bërë që edhe ata që janë të shtrirë brenda spitaleve, të mos marrin shërbimet adekuate, raporton KTV.
Njëra prej sallave të kimioterapisë, e cila ditëve të punës është e stërmbushur me pacientë, të cilët marrin këtë terapi. Por greva e mjekëve ka bërë që asnjë pacient i prekur me kancer të mos arrijë ta marrë kimioterapinë.
Por, pati edhe të atillë që, pavarësisht grevës, i morën shërbimet shëndetësore.
E, derisa shumica e profesionistëve shëndetësorë deri në orën 15 vetëm kanë qëndruar në vendet e punës pa ofruar shërbime, puna në Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme ka vazhduar normalisht.
Kirurgët kësaj radhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve të federatës sindikale për grevë. Ata thonë se kanë arsye të mjaftueshme që të mos i bashkohen grevës.
Sindikalistët e QKUK-së thonë se gjatë së hënës do të dalin me vendim të ri se si do të veprohet më tutje.
Mjekët e Qendrave të Mjekësisë Familjare, gjithashtu i janë bashkuar grevës, duke ofruar shërbime shëndetësore vetëm për rastet urgjente.
Puna në këto institucione pritet të vazhdojë normalisht të shtunën derisa ajo nisi shkaku i pezullimit të Ligjit për paga.