Takohen Kurti e Mustafa Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Hoti: Do të vazhdojmë takimet deri në arritjen e marrëveshjes

13 December 2019 15:41
18:27

Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së ka thënë se sot është mbajtur një takim shumë konstruktiv drejt një marrëveshje përfundimtare, derisa ka bërë të ditur se takimet do të vazhdojnë deri te një marrëveshje finale.

“Prej 6 tetorit kemi vendosur standard të ri të komunikimit të ndërsjell, edhe në mes të dy subjekteve edhe në raport me qytetarët për t’i informuar në detaje. Sot kemi pasur takim të gjatë por konstruktiv për të shkëmbyer të gjitha pozicionet për marrëveshjen që pritet të arrihet në mes dy subjekteve tona. Jemi dakorduar që të vazhdojmë takimet në baza ditore, derisa të përmbyllim bisedmet tona”, ka thënë Hoti.


Konjufca: Takimi i nesërm nuk do të ndodhte nëse pozicionet tona nuk do të afroheshin 

Ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konufca ka thënë se me LDK-në janë pajtuar që të intensifikojnë takimet.

“Do të kemi edhe nesër një takim. Takimi i nesërm nuk do të ndodhte nëse pozicionet tona nuk do të afroheshin”, ka thënë Konjufca, para gazetarëve.

Takimin e sotëm ai e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm, në përpjekje për të gjetur një marrëveshje qeverisëse.

“U pajtuam që takimet tona të jenë më të shpeshta në të ardhëm”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shprehur pakënaqësi me ndryshimin e datës thirrjes së seancës konstituive, sepse siç ka thënë ai, Presidenti nuk ka biseduar me askënd.

“Nuk ka biseduar as me partinë e parë, as me partinë e dytë që janë të gatshme për të qeverisur vendin. Ne kemi dyshimet tona se si është ndërruar kjo datë, por është mirë që presidenti me na tregu se cilat janë ato parti politike me të cilat është dakorduar për ndryshimin e datës. Megjithatë, 26 dhjetori është edhe 2 javë dhe besojmë se deri atëherë do ta arrijmë marrëveshjen”, ka thënë Konjufca.


Edhe Vetëvendosje mbledh nesër Kryesinë e partisë

Burime brenda Lëvizjes Vetëvendosje i kanë thënë Kohavisionit se edhe kjo parti ka thirrur për nesër mbledhjen e Kryesisë së partisë.

Siç bëhet me dije, mbledhja do të mbahet në orën 09:00.

Më parë edhe nga LDK-ja është njoftuar se do të ketë mbledhje të Kryesisë.

17:48

Po vazhdon takimi Kurti – Mustafa, LDK-ja fton për nesër mbledhje të Kryesisë

Janë bërë më shumë se dy orë që kur kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, janë duke diskutuar për ndarjen e hises së pushtetit.

Ende nuk ka sinjale se kur do të përfundojë takimi mes parive të dy partive, derisa është konfirmuar tashmë se posti i presidentit dhe ai i kreut të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë pika ndarëse mes tyre.

Ndërkohë, Grupi Koha merr vesh se Lidhja Demokratike e Kosovës ka ftuar për nesër mbledhje urgjente të Kryesisë së partisë. Detaje të tjera, tash për tash janë të panjohura.

15:41

Takohen Kurti e Mustafa

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa së shpejti pritet të nisin takim mes vete. 

Burime të KTV-së kanë mësuar se takimi zhvillohet në Kuvendin e Kosovës. Koha.net mëson se të dy, Kurti e Mustafa tashmë veç kanë hyrë brenda ambientit ku do të zhvilllojnë takimin. 

Mustafa para se të hyjë në Kuvend ka thënë shkurt se nuk e di kur do të arrijnë marrëveshjen, përveçse ka konfirmuar se po bëjnë përpjekjeje për një gjë të tillë.

“Po bisedojmë dhe kur bisedojmë gjithmonë në të mirë të marrëveshje dhe kur arrijmë marrëveshje nuk mund të ju garantojmë sot”, tha Mustafa për EO.

Kujtojmë se Kurti ka premtuar se do të ketë finalizim të marrëveshjes për koalicion me LDK-në para seancës konstituive.

Seanca e parë konstituive është thirrur nga presidenti më 26 dhjetor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

agroni (Ferizaj).16/12/2019 14:28

Prap ne Zgjedhje....NUK ka koalicion !! hahhaha kosova '' shtet '' i Zgjedhjeve,

Shto koment

Të ngjashme