Të mbijetuarit e masakrës së Reçakut thonë se i kanë përjetuar rëndë deklaratat e Vuçiqit

Valbona Bytyqi 10 December 2019 19:06

Ramë Shabani është një nga të mbijetuarit e masakrës së Reçakut.

Forcat serbe, dy dekada më parë, në këtë fshat vranë e masakruan 45 civilë, në mesin e të cilëve edhe vëllain e tij, Bajrushin, i cili në atë kohë ishte vetëm 20-vjeçar, raporton KTV.

Teksa rrëfen se si iu ka shpëtuar paramilitarëve serbë, Shabani, 53-vjeçar, thotë se i ka përjetuar rëndë deklaratat e zyrtarëve serbë, të cilët këtë masakër e kanë quajtur trillim.

Megjithatë, i befasuar nga deklaratat e zyrtarëve serbë, nuk është Agim Kamberi, që thotë se ka dëshmi të mjaftueshme për masakrën e kryer në këtë fshat.

Për homazhe në Reçak, pak ditë pas deklaratave të zyrtarëve serbë, ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai nga këtu kritikoi ndërkombëtarët për mosngritjen e zërit ndaj Serbisë për masakrat e kryera në Kosovë.

Kreu i shtetit nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të thërrasë seancën konstituive dhe nëse është duke pritur arritjen e marrëveshjes bashkë-qeverisëse nga Vetëvendosje dhe LDK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme