Arbëri

Pacolli ia dorëzon Prokurorit Special mbi 10 mijë dokumente e fakte që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë

Foto: Koha/Ilustrim
 

Behgjet Pacolli, ministër i Jashtëm në detyrë, sot në një konferencë për shtyp ka paraqitur koleksionin e mbi 10 mijë dokumenteve që i janë dorëzuar Prokurorit Special të Kosovës për krimet e luftës të kryera dhe gjenocidin nga Serbia në Kosovë.

“Ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë mizoritë e së kaluarës. Ne ia kemi borxh viktimave të këtyre krimeve kundër njerëzimit. Ne ia kemi borxh edhe vetvetes: ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nëse ndriçojmë ditët e errëta të së kaluarës. Është një detyrim moral ndaj njerëzimit. Detyra historike është të dokumentohen torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krimet e tjera të luftës të kryera nga forcat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998-1999. Kosova duhet të tregoj fushatën e koordinuar dhe sistematike për të terrorizuar, vrarë dhe dëbuar shqiptarët e Kosovës që u organizua nga nivelet më të larta të qeverive serbe dhe jugosllave në pushtet në atë kohë, që kishte rezultuar në shpërnguljen më të madhe të popullsisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Pacolli.