Arbëri

Bie ndjeshëm numri i qytetarëve të ardhur nga Shqipëria në Kosovë

Foto: Koha

Ditëve të fundit ka rënë dukshëm numri i personave që vijnë në Kosovë për strehim nga zonat e goditura nga tërmeti në Shqipëri.

Një tërmet i fuqishëm, me magnitutë 6.4 ballë të Rihterit pati goditur Shqipërinë më 26 nëntor, si pasojë e të cilit humbën jetën 51 persona dhe më shumë se 900 të tjerë pësuan lëndime.

Pas shkatërrimeve të shumta që shkaktoi tërmeti, në ditët e fundit të nëntorit, mijëra qytetarë nga Shqipëria ia mësynë Kosovës pas thirrjeve të bëra nga autoritetet qendrore e lokale, shoqatat humanitare dhe familjet kosovare, që ata të vijnë dhe të strehohen në Kosovë.

Prizreni ishte njëra nga komunat e Kosovë e cila ka regjistruar numrin më të madh të personave apo familjeve të ardhura nga Shqipëria. Në këtë komunë, e cila gjendet në jug-perëndim të Prishtinës, u strehuan më shumë se 2 mijë persona.

Numrin më të madh të personave të ardhur nga Shqipëria, konkretisht nga qyteti i Durrësit, Komuna e Prizrenit i ka sistemuar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve. Tash dy javë pas tërmetit, autoritetet thonë se numri i personave të ardhur është zvogëluar dukshëm.

Faruk Dakaj, drejtor për Emergjencë dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, i cili njëkohësisht është edhe koordinator ndër-institucional për të strehuarit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, tha për Radion Evropa e Lirë, se numri aktualisht sillet rreth 177 persona.

"Momentalisht në kampin e Prizrenit janë edhe 177 persona, pasi që një pjesë e tyre e kanë lëshuar kampin me organizim dhe transport nga kampi deri në Durrës që e kemi bërë ne", tha Dakaj.

Nga statistikat të cilat i ka mbledhur Kryqi i Kuq i Kosovës, bashkë me Komunën e Prizrenit, numri i të ardhurve ka qenë mbi 2 mijë persona në fillim, por pa e ditur numrin e personave të strehuar në familje të ndryshme në këtë komunë.

"Nuk kemi të dhëna zyrtare të sakta, përpos numrit të të strehuarve në kamp. Jashtë kampit ka shumë pak persona të cilët kanë mbetur ende të strehuar", tha Dakaj.

Të plotë mund ta lexoni në REL