Britania ofron mbështetje për gjetjen e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë Foto: Ksp

Britania ofron mbështetje për gjetjen e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë

09 December 2019 11:30

Familjarëve të personave të zhdukur po u mohohen të drejtat e njeriut për 20 vite, pasi që ende nuk dinë për vendndodhjen e më të dashurve të tyre që u zhdukën gjatë luftës në Kosovë.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZh), me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Bajram Çerkini tha se familjarëve të të zhdukurve çdo ditë u shkelen të drejtat duke mos u dhënë informata për vendndodhjen e më të dashurve tanë.

“Thuhet se fajtorë për moszbardhjen e fatit të familjarëve tanë të zhdukur janë Serbia e ndërkombëtarët, por për 20 vite pyetjet tona asnjëherë nuk morën përgjigje”, tha ai, raporton ksp.

Ai madje kërkoi sqarim se përse u deshën 13 vite për të nisur gërmimet në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka ofruar mbështetjen e vendit të tij për të siguruar të drejtën për të ditur për vendndodhjen personave të zhdukur.

Sipas tij, kjo është një plagë që ende është e hapur, e drejtë e cila u është mohuar.

“Nuk është e lehtë të flasim sot për të drejtat e njeriut, kur plagët tuaja janë ende të hapura. Të drejtat e njeriut të të pagjeturve janë shkelur. Atyre u është mohuar e drejta për jetë dhe liri. Qeveria britanike është zotuar të punojë me ju për t’i shëruar këto plagë nga e kaluara dhe që së bashku të kontribuojmë për një të ardhme më të ndritshme për të gjithë qytetarët”, tha Abbott.

Bartësi i dosjes së personave të zhdukur në Kosovë, Jahja Lluka, tha se nuk do ndalen deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme