Arbëri

Takimi i Sveçlës me Gjuriqin nxit reagime e polemika

Në kohën kur janë rikthyer tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi zyrtarët më të lartë nga Beogradi e quajtën trillim masakrën e Reçakut, një organizatë jo qeveritare me seli në SHBA ka ulur në një tryezë përfaqësues të të dyja vendeve.

Reagime të shumta ka nxitur një fotografi ku në tavolinën e përbashkët shihet anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçlës dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, që po ashtu e quan “trillim” masakrën e Reçakut. Përveç tyre, në të njëjtin vend kanë qenë edhe Arban Abrashi i LDK-së dhe Ardian Gjini nga AAK-ja.

Pas kritikave të shumta, Xhelal Sfeçla është sqaruar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se fotoja është shpërndarë me qëllim të keq.

“Unë sot jam pjesëmarrës në një konferencë për Bashkëpunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku janë ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit”, ka shkruar Sfeqla. “E kuptoj se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq. Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosovës, ndryshe nga paraardhësit tanë”, ka shtuar ai.

Por ish-eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët u larguan nga kjo parti pas pakënaqësive të brendshme, kanë reaguar për takimin e Sveçlës me Gjuriqin.

“Ashtu qysh sot po e arsyetojnë takimin nëpër kafe me Gjuriqin - i cili po të ndodhte me këdo jashtë VV-së do të cilësohej si tradhti kombëtare e shitje e Kosovës, ashtu nesër do ta arsyetojnë ri-kapjen e shtetit, keq-qeverisjen dhe autoritarizmin e tyre”, ka shkruar në Facebook, ish-zëdhënësi i Vetëvendosjes, tani anëtar i PSD-së.

Ndërkaq opinionisti Rrahman Paqarizi ka thënë se Sveçla nuk ka bërë mirë që është ulur në tavolinë me Gjuriqin jashtë pjesës zyrtare të konferencës.

“Ata që po e sulmojnë Sveçlën, ndërsa kanë heshtë për të tjerët para tij, prapë nuk po bëjnë mirë, sepse nuk po flasin as për parime as për patriotizëm, por për interesa partiake. Xhelal Sveçla e Albin Kurti nuk vuajnë për me ndejtë me zyrtarë të Serbisë, ashtu siç s’kanë vuajtë për diçka të tillë as Hashim Thaçi, Isa Mustafa e të tjerë. Sipas kësaj logjike i bie se aktivistët dhe zyrtarët e LVV-së nuk kanë bërë mirë që e kanë sulmuar secilin zyrtar për veprime të këtilla, sepse tash kur janë afër pushtetit po duhet me u ra moh fjalëve të veta”, ka shkruar Paqarizi.

Ai ka shtuar se, Sveçla nuk ka bërë krim, aq me pak tradhti kombëtare. Sipas Paqarizit, ky është momenti kur LVV duhet të reflektojë dhe ta ketë të qartë se “i janë harxhu fishekët”.

“Mungesa e kauzave reale nga LVV sa ka qenë në opozitë dhe mungesa e sinqeritetit (krejt partitë e synojnë pushtetin se ndryshe nuk përmbushen synimet programore), ka bërë që LVV gjatë gjithë historisë së saj të opozitarizmit të ngre kurthe në të cilat domosdo bie vete edhe ajo, sapo i afrohet pushtetit”, ka shkruar Paqarizi. “Gardianet anti VV, që mezi e kanë pritë gabimin e Sveçlës duhet me u kthy mbrapa në ‘timeline’-t e veta e me këqyrë qysh kanë reagu kur idhujt e tyre kanë bë këso gabimesh. Gardianët e VV duhet me iu rikthy ‘timeline’-ve të veta e me pa sa e qysh kanë sha e akuzu kur politikanë jo VV kanë qenë ulë në vendin e Xhelalit. Patriotizmi nuk është deklaratë, pra”, ka përfunduar Paqarizi.

Këshilli për Qeverisje Përfshirëse (CIG), organizatë ndërkombëtare joqeveritare me seli në SHBA, ka njoftuar përmes një deklarate se ishte organizatore e një tryezë të rrumbullakët dy-ditore në Tiranë, Shqipëri, gjatë datave 7-9 dhjetor, ku morën pjesë përfaqësuesit e partive politike të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në diskutime janë adresuar sfidat e rajonit për gjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE, si dhe rolit të partive politik në zbatimin e reformave demokratike. Mbështetësi kryesor i CIG është Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, ndërsa ky projekt rajonal mbështetet edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

Marko Gjuriq ka qenë pjesë edhe një paneli tjetër në Berlin, bashkë me Albin Kurtin, ku është diskutuar për rëndësinë e dialogut ne Ballkanit. Përveç Gjuriqit, në anën e majtë të Albinit në panel janë parë edhe Susanne Schütz, drejtoreshë në Departamentin për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Mathew Palmer nga Departamenti Amerikan i Shtetit, drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme të Spanjës, Enrique Mora Benavente dhe ambasadori amerikan, Frank Wizner.

Edhe pse Marko Gjuriq ishte pjesë e debateve ku u diskutua për tejkalimeve e problemeve në Ballkan, ai së fundi iu bashkua korit të politikanëve serbë që mohuan krimin e Reçakut, duke e quajtur atë trillim të UÇK-s dhe ish-ambasadorit të OSBE-s, William Walker. Debati nisi pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviqin, për shkak se i njëjti, derisa ishte në postin e ministrit, masakrën e Reçakut e kishte quajtur “trillim”.

Përveç Bashkimit Evropian, ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë që mohojnë Masakrën e Reçakut ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Sipas tyre, retorizmi nxitës dhe revizionizmi historik për ngjarjet e vitit 1999, janë të papranueshëm.

“Ngjarjet e kësaj jave tregojnë se sa e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë dhe të përqendrojnë energjitë e tyre mbi të ardhmen, duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.