Arbëri

Dëshmitë e dëshmitarëve për “Veteranët e rrejshëm” mbesin sekret për publikun

Foto: Koha / ilustrim

Ndonëse mediat e kanë dëgjuar dhe e kanë incizuar se çfarë ka dëshmuar të enjten zyrtari i lartë shtetëror RR. R, aktvendimi që ka nxjerrë një ditë më parë gjykata ua ndalon të publikojnë emrin dhe dëshminë e tij nga seanca gjyqësore e rastit të njohur si “Veteranët e rrejshëm”. Dëshmitari Rr.R është intervistuar për rreth tri orë.

Në seancën e së mërkurës, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj pati marrë vendimin që kufizon fotografimin dhe regjistrimin televiziv të dëshmive të dëshmitarëve, si dhe ndalon raportimin në media të dëshmive dhe të dhënave personale të dëshmitarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe në seancën e së enjtes, gjyqtarja Kuka-Mekaj ka përsëritur se aktvendimi është i bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe është marrë me qëllim që të mos dëmtohet procesi gjyqësor.

“Sa i përket vendimit të djeshëm që është marrë nga trupi gjykues, ndoshta është interpretuar gabimisht, sepse e dëgjova në media, nuk është bërë konfidencial emri i dëshmitarëve, sepse nuk janë dëshmitarë bashkëpunues, por konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale, thuhet se ‘largohen dëshmitarët derisa gjykata t’i ftojë ata për të dëshmuar’. Kjo gjithnjë për mbarëvajtje të rregullt të procesit gjyqësor, sepse nëse publikohen deklaratat e dëshmitarëve, atëherë ku është esenca që ata dëshmitarë të largohen nga salla, dhe nëse ju i publikoni dëshmitë e dëshmitarëve ende pa u përfunduar procedimi me dëshmitarë, sigurisht që do të prishet ky shqyrtim gjyqësor dhe nuk do ta ketë efektin e tij, dhe në vazhdim nuk dihet se nga dëshmia e dëshmitarëve a do të vihet me propozime të tjera nga palët”, ka thënë Kuka-Mekaj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)