Arbëri

Opozita kundërshton hapësirën të cilën Komuna e Gjilanit e përcaktoi për varreza

Në këtë lokacion i cili është në periferi të Gjilanit, do të vendosen varrezat e reja të këtij qyteti. Rreth 11 hektarë tokë janë planifikuar që të jenë në shërbim të qytetarëve për varrime, pasi që lokacioni aktual ku ndodhen varrezat, tashmë është stërmbushur.

Por, me këtë lokacion nuk po pajtohet opozita në këtë komunë, e cila të premten ka mbajtur edhe seancë të jashtëzakonshme, por nuk e ka pasur kuorumin e nevojshëm për të vazhduar tutje. Për ta kundërshtuar këtë lokacion, madje, filloi edhe nënshkrimi i peticionit, raporton KTV.

E nga Komuna e Gjilanit, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se që nga viti 2003, ai lokacion është vendosur për varrezat e reja dhe se në seancën e radhës do të vendoset si pikë e rendit të ditës.

“Është vendim që është marrë në vitin 2003. Për lokacionin e njëjtë të varrezave, ekziston i tërë dokumentacioni në zyrën e kryetarit, e nga ajo kohë kemi pasur probleme me ish-AKM-në që tani është AKP. Pra, në bazë të kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve qendrore, Komuna e Gjilanit ka arritur që atë lokacion ta kthejë nën menaxhim dhe destinimi i tij të jetë po ai që ka qenë në vitin 2003, pra lokacioni i varrezave të reja të qytetit”, ka thënë

Arber Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, konfirmoi se seanca e rregullt ku do të diskutohet për këtë do të mbahet gjatë këtij muaji.

Por, opozita në këtë komunë ka treguar se ka thirrur seancë të jashtëzakonshme sërish për javën e ardhshme.