28 perditesime
Arbëri

“Plisat” sjellin në Kosovë 30 banorë nga Durrësi për t’i strehuar

“Plisat” sjellin në Kosovë 30 banorë nga Durrësi për t’i strehuar
01:34

“Plisat” sjellin në Kosovë 30 banorë nga Durrësi për t’i strehuar

Edhe grupi i tifozëve “Plisat”, sot kanë marrë iniciativë që t’i dalin në ndihmë të prekurve nga tërmeti që ka goditur Shqipërinë.

Pasi kanë dërguar ndihma në Shqipëri, bëjnë me dije se në kthim kanë marrë me vete në autobus 30 banorë të Durrësit për t’i strehuar në Kosovë.

Ata këtë e kanë bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

Postimi i plotë i “Plisave”:

DITA E PARË E AKSIONIT PËRFUNDOI ME SUKSES!

250 familje u furnizuan me gjërat elementare. Veshëmbathje, ushqim, higjienë, batanije dhe barna.

Tashmë morrëm rrugën për Prishtinë. Rrugës nuk po kthehemi të vetëm. Bashkë me ne i morrëm 30 banorë të Durrësit për t'i strehuar në Prishtinë.

Vazhdojmë nesër!

Natën e mirë!”.

01:11

Shpëtohet 25-vjeçari në Durrës pas qëndrimit 21-orësh i “burgosur” nën rrënoja

Është shpëtuar pas 21-orësh qëndrimi i “burgosur” nën rrënoja një i ri në qytetin e Durrësit.

I shpëtuari është Klajdi Qato, 25-vjeç. Ai është shpëtuar nga forcat e kërkim shpëtimit të ardhura nga Janina, raporton Report TV.

Ndërsa në momentin e shpëtimit ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sapo ka dalë nga rrënojat, Qato është çuar në këmbët e ti.

00:06

Dyshohet për 20 persona që vazhdojnë të jenë ende nën rrënoja

24 viktima, 650 të lënduar dhe 20 të humbur nën rrënoja! Është ky bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54 me 6.4 ballë me epiqendër në Durrës.

Prej orës 03:54 të mëngjesit të së martës kur u godit nga një tërmet i fuqishëm 6.4 ballë me intensitet të ndjeshmërisë 8 ballë dhe që zgjati deri në 30 sekonda, Shqipëria është në agoni, lot e trishtim, me shpresë dhe lutje për të mos rritur bilancin e jetëve të humbura dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja.

Deri më tani, siç raporton “Shqiptarja”, raportohen 24 të vdekur në Thumanë, Durrës, në zonën e ish-Kënetës dhe Lezhë, ndërsa janë rreth 600 të lënduar që kanë marrë trajtim në spital si pasojë e dëmtimeve nga lëkundjes e fuqishme sizmike të mëngjesit që vazhdojnë ende me pasgoditje të njëpasnjëshme.

44 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerë, ndërsa raportohet edhe për 20 të tjerë që ende janë nën rrënoja.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, që kanë arritur në Shqipëri nga shumë vende, në mesin e të cilëve edhe nga Kosova, kanë thënë se do të vazhdojnë aksionin gjatë gjithë natës deri në gjetjen e çdo trupi.

23:22

Hasani: Trupi i Shemsedin Abazit në pozicion të vështirë për t’u nxjerrë

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani në një prononcim për KTV-në ka thënë se trupi i pajetë i Shemsedin Abazit është në një pozicion të vështirë për ta nxjerrë.

Megjithatë, ai është optimist se së shpejti do të nxirret trupi i tij, në mënyrë që më pas të dërgohet për në Gjilan.

“Tërmeti ka bërë një shkatërrim të madh, këtu kanë qenë dy vëllezërit Abazi. Ekipi emergjent është duke bërë përpjekje të nxjerrë trupin e Shemsedinit që është babë i katër fëmijëve, kurse Isa baba i dy fëmijëve. Ai është në dispozicion jo të përshtatshëm për ta tërhequr. Duhet të ruhet trupi i tij në mënyrë që të nxirret. Shpresoj që shumë shpejt do ta nxjerrim dhe do të vazhdojmë me procedurat e tjera për ta përcjellë në Gjilan”, ka thënë Hasani.

Shemsedin e Isa Abazi nga Gjilani janë dy nga 24 viktimat e tërmetit të sotëm që ka goditur Shqipërinë.

22:36

Korrigjohen shifrat e viktimave, deri më tani të konfirmuar janë 24 të vdekur

Mediat në Shqipëri po vazhdojnë të japin të dhëna për gjendjen atje pas tërmeteve të fuqishme që lanë shumë viktima. 

Ndonëse më parë "OraNews" raportoi për 26 të vdekur, tani më e ka korrigjuar këtë shifër duke e ulur në 24. 

22:14

Raportohet për 26 të vdekur nga tërmetet në Shqipëri

Po mbahej në jetë me serum në gërmadha, vdes 30 vjeçari në Thumanë

Një tjetër trup i pajetë është nxjerrë nga Thumana. I riu rreth të 30-ave, që po mbahej me serum gjallë, kishte të gjithë betonin mbi kokë. Fatkeqësisht ai ka vdekur, raporton “Oranews”.

Ndërkohë janë lokalizuar dhe dy persona të tjerë nën gërmadhat e objektit 5 katësh në Durrës, edhe ata të pajetë.

Në vendngjarje po punojnë ekspertët grekë, të cilët po drejtojnë punën me mbështetje edhe nga forcat shqiptare.

Deri tani janë 26 të vdekur nga tërmeti.

22:08

Vdes edhe 30 vjeçarja që u nxor e gjallë nga rrënojat e objektit në Durrës - 23 të vdekur deri më tani

Ka vdekur 30-vjeçarja, Diana Meçaj, që u nxor e gjallë nga rrënojat e pallatit 6 katësh në Durrës.

“Ora News” raporton se ajo ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të rënda, duke mos mundur të mbijetojë pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të policisë.

Më herët nga rrënojat u nxor e vdekur edhe vajza e saj e mitur vetëm 8 vjeç.

21:35

Gjendet trupi i pajetë i gjilanasit të dytë, Shemsedin Abazi

Në këto momente raportohet se është gjetur trupi i pajetë i gjilanasit të dytë që mbet nën rrënojat e një objekti gjatë tërmetit në Durrës.

Ndonëse ende nuk e kanë nxjerrë nga rrënojat, besohet se trupi, të cilit i shihet vetëm njëra dorë, është i Shemsedin Abazit nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, pasi në atë pjesë nuk ka pasur njerëz tjerë. 

Ndërsa, raportohet se numri i të lënduarve ka shkuar në 650.

21:14

Nxirret i gjallë një person nga rrënojat e një ndërtese në Thumanë

Pas orës 20:00 të darkës në Thumanë, Pëllumb Gregu është shpëtuar nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, teksa ky moment është shoqëruar me duartrokitje.

“Shqiptarja” raporton se motra e tij po priste në ankth lajme për të vëllain dhe teksa kryeministri Edi Rama shkoi në Thumanë për të parë nga afër situatën, ju hodh e përlotur duke i kërkuar ndihmë për gjetjen e vëllait.

“O shpirt i motrës, o Pëllumb”, shprehej ajo, teksa tashmë ka marrë lajmin e shumëpritur se vëllai i saj është mirë dhe do t'i nënshtrohet trajtimit mjekësor.

19:34

Tërmeti në Shqipëri, vazhdon kërkimi për trupin e pajetë të njërit prej vëllezërve Abazi

Është gjetur trupi i pajetë i njërit prej dy vëllezërve nga Gjilani që kanë vdekur sot nga tërmeti në Shqipëri, por kërkimi për tjetrin vazhdon, raporton KTV.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka konfirmuar se dy vëllezërit e vdekur nga tërmeti i sotëm në Shqipëri janë Shemsedin dhe Isa Abazi.

Raportohet se deri më tani mbi 20 të vdekur kanë mbetur nga tërmeti në Shqipëri, derisa mbi 600 të tjerë janë lënduar.

19:22

Shkon në 22 numri i të vdekurve nga tërmetet në Shqipëri

Ka shkuar në 22 numri i viktimave nga tërmetet e sotme në Shqipëri, raporton Shqiptarja.com.

Raportohet deri tani për 22 të vdekur dhe 600 të plagosur. Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.

Ngrihen çadra në Fushë-Krujë e Durrës. Vijojnë operacionet e shpëtimit për të nxjerrë trupat dhe të mbijetuarit nga rrënojat e tetë godinave.

Deri më tani 44 persona janë shpëtuar nga gërmadhat.

18:45

Nxirret e gjallë nëna, vajza 8-vjeçare e së cilës më parë u nxor e pajetë

Pas 14 orëve përpjekje, forcat speciale Renea kanë mundur të nxjerrin gjallë nga rrënojat një 30-vjeçare, e quajtur Diena, e cila është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Operacioni është kryer pas shkollës së “Mjeshtërisë” në rrënojat e një pallati 6-katësh. Rreth 2 orë më parë, Renea nxori edhe vajzën e saj të mitur 8-vjeçare, Esiela, e cila kishte humbur jetën.

18:34

Shkon në 21 numri i viktimave në Shqipëri

Ka shkuar në 21 numri i viktimave nga tërmetet e sotme në Shqipëri, raporton Shqiptarja.com.

Pas 16 orësh nën rrënoja është shpëtuar nëna, por ka vdekur vajza e saj 8 vjeçare.

17:55

Shkon në 20 numri i të vdekurve nga tërmetet në Shqipëri

Rritet bilanci negativ nga tërmeti, pasi dy banorë të tjerë të Thumanës, një burrë dhe një grua, janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e godinës që i zuri poshtë në orët e para të ditës së sotme, raporton “Shqiptarja”.

Thumana ka qenë një nga zonat më të goditura nga tërmeti pasi shembja e pallateve mori disa jetë njerëzish.

17:49

19 të vdekur nga tërmetet në Shqipëri

Ka shkuar në 19 numri i viktimave nga tërmetet e fuqishme në Shqipëri.

Mësohet se viktima e fundit e raportuar është një grua, e cila është prekur nga operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë, por është e vështirë ta nxjerrin pasi panelet e betonit i kanë zënë pothuajse gjithë trupin, raporton TopChannel.

17:45

Hasani: Dy vëllezërit gjilanas të vdekur në Durrës ishin atje për të punuar

Nait Hasani, Ambasador i Kosovës në Shqipëri, ka thënë për KTV-në se dy viktimat e tërmetit të fuqishëm në Shqipëri, dy vëllezërit nga Gjilani, kanë qenë duke punuar në Durrës.

“Nuk kemi të dhëna për viktima tjera nga Kosova. Nga pronari i hotelit kemi marrë informatat se s’kanë pasur mysafirë nga Kosova në hotel. Dy viktimat kanë qenë duke punuar në Durrës”, ka thënë Hasani.

Familjarët e viktimave nga Gjilani tashmë janë në vendin e ngjarjes.

17:32

MPJ-ja e Kosovës konfirmon vdekjen e dy vëllezërve gjilanas në tërmetin në Shqipëri

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se dy persona nga Gjilani janë viktima nga tërmeti i sotëm në Shqipëri.

“Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!”, ka shkruar Pacolli.

17:30

Shpëtohet një burrë nga rrënojat në Durrës, kërkohet ndërprerja e ujit

Pak minuta më parë, në lagjen numër 6-të të Durrësit, është nxjerrë i gjallë nga rrënojat një burrë, i cili u dërgua me emergjencë në spital.

Po kështu është kërkuar ndërprerja e ujit të pallatit, pasi ende ka njerëz nën rrënoja.

Dihet që brenda pallatit të lagjes numër 6 kanë ngecur edhe 2 gra, por nuk ka ende shenja nga ato.

16:48

Shkon në 18 numri i viktimave nga tërmeti

Top-Channel, nga burime brenda prefekturës së Durrësit, raporton se ka shkuar në 18 numri i viktimave nga tërmetet në Shqipëri.

Ndërkaq, nga spitali i traumës, ka folur Ministrja Ogerta Manastirliu e cila ka bërë edhe një bilanc të rasteve të paraqitura nëpër spitale, duke theksuar se janë mbi 600 të lënduar që janë paraqitur në spital.

“Mbetemi në gatishmëri maksimale në të gjitha spitalet. Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga të gjithë për të përballuar këtë situatë aspak të lehtë për ne. Janë më shumë se 600 të lënduar që janë paraqitur në spital”, ka thënë ajo.

16:27

Identifikohen 10 prej viktimave nga tërmeti në Shqipëri

16 janë personat që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin rreth orës 03:50. Viktimat janë banorë të Durrësit, Kurbinit dhe Thumanës.

Janë identifikuar emrat e 10 prej viktimave nga Spitali i Durrësit, ku në total numërohen 13 deri më tani, raporton TCH.

Ndër të cilët 10 personat e identifikuar janë:

1-Selvie Lala, 74 vjeçe.

2-Erisa Cara, 25 vjeçe.

3-Arjela Lala, 5 vjeçe.

4-Kristi Reçi, 25 vjeç.

5-Erjola Boshku, 25 vjeçe.

6-Sadik Qato, 80 vjeç.

7-Amelja Lala, 10 vjeç.

8-Sahate Lala, 50 vjeç.

9-Bajram Hajdarmataj.

10-Plator Zeneli, 70 vjeç.

Ndërkohë nga informacionet e deritanishme në Thumane konfirmohen 3 viktima, 5 të shpëtuar e ndërsa 4 të tjerë ndodhen ende poshtë rrënojave.

15:33

Shkon në 16 numri i të vdekurve në Shqipëri

Në orën 15:25, nga Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri është raportuar se numri i të vdekurve ka shkuar në 16.

Është konfirmuar edhe një tjetër trup i pajetë në Durrës.

Me këtë, shkon në 16 bilanci i viktimave të tërmetit.

A2 raporton se janë mbi 600 persona të lënduar.

14:18

Konfirmohen 15 persona të vdekur nga tërmeti në Shqipëri

Zyrtarisht janë konfirmuar 15 të vdekur nga tërmeti i fuqishëm në Shqipëri.

A2 raporton se janë mbi 600 të lënduar, shumë të bllokuar nën rrënoja.

Pak minuta më parë, u regjistrua edhe një tërmet me magnitudë 5.

11:24

13 të vdekur nga tërmeti, dhjetëra të gjallë nxirren nga rrënojat

Është renduar bilanci i personave të vdekur nga tërmeti i fuqishëm 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e sotëm rreth orës 03.54.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes numri i personave të vdekur ka shkuar në 13, ndërsa grupet e kërkim-shpëtimit vijojnë punë për të nxjerrë persona të tjerë nga rrënojat.

Minutë pas minute numri i viktimave sa vjen e shtohet dhe fatkeqësish pritet që ky bilanc të përkeqësohet, pasi ende ka shumë persona të mbetur në rrënoja.

Nga burime zyrtare bëhet me dije se 7 persona janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat në Durrës dhe 5 në Thumanë, ndërsa 1 person në Kurbin, pasi u hodh nga ballkoni pas panikut.

Ndërkohë, që numri i personave të lënduar është rreth 600.

Dy zonat më të prekura ku është shënuar dhe numri më i madh i viktimave janë Durrësi dhe Thumana. Në këtë të fundit janë shpëtuar 35 persona.

10:43

“Shqip” raporton për 11 viktima nga tërmeti

Ka shkuar në 11 numri i viktimave si pasojë e tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mësohet se janë nxjerrë edhe dy trupa të pajetë nga një godinë në Durrës.

Pas lëkundjeve të njëpasnjëshme u shembën pallate, duke lënë 11 të vdekur.

Tërmeti ka zgjatuar mbi 20 sekonda dhe është i njëjtë me atë të vitit 1926. Pas lëkundjes së fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë. Shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë.

09:43

Konfirmohet zyrtarisht për 7 viktima në Shqipëri 

Ministrja e Mbrotjes e Shqipërisë Olta Xhaçka thotë se është rritur numri i viktimave. Ajo tha se janë regjistruar 7 viktima në gjithë Shqipërinë, të paktën deri tash. Ndërsa, raportohet mbi 100 të lënduar.

Ajo tha se njësitë emergjente janë duke bërë të pamundurën për të shpëtuar kush është në gjendje të rëndë. Madje të përfshirë janë edhe forcat ushtarake dhe policore.

3 viktima janë regjistruar në Durrës, dy në Thumanë, një në Lezhë dhe një në Kurbinë raporton Koha.net.

Xhaçka në konferencë për media në Shqipëri kërkoi për qetësi dhe të largohet frika dhe panika. 

08:33

Shkon në 6 numri i të vdekurve, qindra të tjerë raportohen të plagosur

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë konfirmon: Shkon ne 6 numri i te vdekurve nga termeti. 1 në Kurbin, dy në Thumanë e 3 në Durrës.

Vijojne operacionet e kërkim-shpëtimit në Thumanë dhe në Durres. Ato janë dy zonat më të goditura nga tërmeti ku ka shembje të pallateve.

Shqipëria tronditet nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja të rënda në jetë njerëzore dhe dëme materiale. Sipas Institutit të Gjeoshkencës, tërmeti i parë u regjistrua në orën 1:18 minuta pas mesnate, për t’u pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë.

08:11

Në Shqipëri raportojnë për njerëz të gjallë nën rrënoja

Forcat e Armatosura njoftojnë se në Thumanë, aty ku janë shembur tre pallate, raportohet për persona të gjallë nën rrënoja.

FA dhe ekipet e emergjencave, siç raporton abcnews në Shqipëri, po punojnë për heqjen e materialeve inerte, për të bërë të mundur shpëtimin e personave që kanë ngecur për më shumë se tre orë.

Dy fëmijë të mitur u shpëtuan nga rrënojat e një pallati në Thumanë, ndërsa dy gra u nxorën të pajeta.

07:58

Nxirret një tjetër trup i pajetë në Thumanë, shkon në 4 numri i viktimave

Një tjetër trup i pajetë është nxjerrë nga rrënojat e pallatit të rrëzuar në Thumanë. Bëhet fjalë për trupin e një gruaje, identiteti i së cilës nuk bëhet ende i ditur./Tch

Image
07:52

Raportohet për tri viktima nga tërmeti në Shqipëri

Shqipëria tronditet nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja të rënda në jetë njerëzore dhe dëme materiale. Sipas Institutit të Gjeoshkencës, tërmeti i parë u regjistrua në orën 1:18 minuta pas mesnate, për tu pasur edhe me 11 tërmete të tjera, ku ai i orës 03:54 ishte më i fortë me magnitudë 6.4 ballë.

Situata më e rënduar paraqitet në zonën e Thumanës, ku një pallat është rrëzuar. Dy viktima janë gjetur nën rrënojat e pallatit. Ndërkohë në Kurbin një burrë është hedhur nga ballkoni në panik e sipër./Oranews