Rreth 20 milionë euro ndëshkim nëse nuk zbatohet kontrata për TC “Kosova e Re”

Rreth 20 milionë euro ndëshkim nëse nuk zbatohet kontrata për TC “Kosova e Re”

22 November 2019 19:27

Deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane, “Contour Global”, parashihet se duhet t’i përfundojnë procedurat ligjore dhe të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e RE”. Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, nga Qeveria aktuale në largim e Kosovës, tërhiqet vërejtja se do të ketë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

Aktualisht, Kosova është pa Kuvend dhe me Qeveri në largim. Ndërkaq, vendimi për zbatimin e kontratës me kompaninë amerikane u mbetet institucioneve të reja që pritet të formohet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë në largim, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka afat deri në maj të vitit 2020 që të përmbushet kontrata.

“Deri në atë kohë nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri pasi që maji është afati i fundit. Mosformimi i Qeverisë mund të vonojë procesin, por nuk do të thotë se mund të rrezikojë projektin. Unë po flas duke supozuar që shumë shpejt në dhjetor apo në janar do ta kemi qeverinë, e nëse zgjatet me muaj, atëherë jemi në një pozitë të pafavorshme pasi që nuk do të ketë mundësi për vendimmarrje”, thekson Lluka.

Ministri në detyrë, Lluka, rikujton se nëse zvarritjet shkaktohen nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë do të krijohet situata, sipas së cilës Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ‘Contour Global’ një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro. Ky projekt përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosovae Re”, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si një projekt të dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët.

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDP) thotë për Radion Evropa e Lirë, se kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re” duhet të ndërpritet edhe nëse Kosova obligohet të paguajë detyrime financiare.

“Për ne është e qartë që Termocentralit “Kosova e Re” duhet të ndërpritet dhe ne kemi avokuar vazhdimisht që ky termocentral të mos ndërtohet dhe kjo kontratë që është nënshkruar nga Qeveria në largim, është kontratë e dëmshme për qytetarët. Realizmi i kësaj kontrate do të shkaktonte humbje miliardësh për qytetarët dhe është e papërballueshme për të gjithë ne dhe për buxhetin e Kosovës”.

“Ne jemi që me çdo kusht, qoftë edhe duke paguar 19 milionë euro, të bëjmë ndërprerjen e kësaj kontrate. Por, duhet të shihen mënyrat pasi që edhe ‘Contour Global’ ka vështirësi për të gjetur financim dhe në këtë kuptim duhet të gjenden modalitete më të mira që ndoshta edhe duke mos pagur fare penalizimet, ne të tërhiqemi nga ky projekt dhe të lirohemi nga kjo kontratë shkatërruese për tregun e energjisë”, vlerëson Abazi.

Ai thotë se vetëm duke u tërhequr nga kjo kontratë, do të arrihet që tregu i energjisë të hapet dhe po ashtu, sipas tij, në Kosovë duhet të hapet një debat për të ardhmen e sistemit energjetik të Kosovës në lidhje me atë se sa na duhen investime në burimet e ripërtërishme të energjisë dhe sa duhet të projektohet tregu i energjisë për gjeneratat e ardhshme.

“Detyra e parë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës duhet të jetë ndërprerja e kësaj kontrate të dëmshme”, thotë Abazi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme