Pas raportimit të KTV-së, Policia ushtron kallëzim penal ndaj “Fadi Com” për falsifikim dokumenti

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 22 November 2019 19:07

Me dhjetëra herë, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka amnistuar bizneset të cilat kanë shkelur ligjin dhe kanë kryer vepra penale gjatë procedurave të aplikimit për tenderë në institucionet shtetërore.

Kjo bëhet e ditur nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron një pjesë të prokurimit të disa institucioneve qendrore, raporton KTV.

Për një veprim të ngjashëm të OSHP-së, KTV-ja ka raportuar të enjten, ku ky institucion u përfshi në diskutime me Agjencinë Qendrore të Prokurimit, për shkak të dyshimeve se kompania “Fadi Com” SHPK, falsifikoi vërtetimin e ATK-së.

Por, Diana Metushi nga KDI-ja, e quan të pajustifikueshme dhe absurde situatën e krijuar ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Ajo shton se OSHP-ja do të duhej të vepronte vetë, e jo t’i mbronte operatorët e papërgjegjshëm.

Ndryshe, Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë për KTV-në se ka kërkuar nga Policia e Kosovës hetim penal për falsifikimin e dokumentit të saj tatimor.

Aty sqarohet se në prill, kompanisë i ishte lëshuar tatimi se ka borxhe, por ata e kanë prezantuar pastaj një të tillë të falsifikuar pa borxhe.

“Bazuar në kërkesën e AQF-së, të datës 24.04.2019, janë bërë verifikime në sistem lidhur me vërtetimin tatimor me nr. serik 1000551838, ku me datë 26.04 2019, kemi informuar parashtruesin se vërtetimi është lëshuar me borxhe tatimore, ndërsa tatimpaguesi ka prezantuar vërtetim pa borxhe tatimore. Rasti në fjalë, me datë 8 maj 2019, i është dërguar Divizionit për Standarde Profesionale, për inicim të procedurave pranë organeve kompetente. Bazuar në konfirmimin nga DSP-ja, rasti është përcjellë pranë njësisë përgjegjëse policore për hetim penal”, ka thënë zyra për media e ATK-së.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas gjysmë viti hetimesh, ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit kallëzimin penal ndaj kompanisë “Fadi Com”.

Për KTV-në, ky institucion ka konfirmuar se kallëzimi penal është bërë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se DHKEK, me datë 20.05.2019, ka pranuar informacion nga ATK-ja, se kompania “FADI COM” SHPK, me seli në Graçanicë, dyshohet se ka falsifikuar një dokument zyrtar. Njësia e Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka proceduar kallëzim penal në Prokurori, me datë 22.11.2019”, ka thënë zyra për media e Policisë së Kosovës.

KTV-ja ka raportuar të enjten se, pavarësisht këtij falsifikimi, OSHP-ja po vazhdon të mbrojë operatorin ekonomik duke urdhëruar AQP-në që ta vazhdojë procedurën e prokurimit për tenderin 3-milionësh për fruta e perime.

Në të kundërtën, ka paralajmëruar atë se do ta gjobisë dhe do t’ia marrë licencën e menaxherit të prokurimit të saj.

OSHP-ja kishte refuzuar edhe kërkesën e AQP-së, që operatorin në fjalë ta fusë në listën e zezë për shkak të këtij falsifikimi me arsyetimin se aty nuk mund të futen operatorë sipas dëshirës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme