Arbëri

OSHP-ja e mbron operatorin ekonomik që hetohet për falsifikim

3 milionë euro fruta e perime kishte planifikuar t’i blinte Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik, për nevojat e disa institucioneve qendrore në fillim të këtij viti.

Por procesi i prokurimit hyri në një rrugë pa krye, kur njëri nga operatorët ekonomikë “Fadi Com”, SHPK dorëzoi në këtë autoritet një dokument të falsifikuar, gjë që bëri që AQP-ja ta anulonte Aktivitetin e prokurimit në mungesë të tri ofertave të përgjegjshme.

10 muaj më vonë, AQP-ja rrezikon të humbasë rreth 30 mijë euro dhe licencën e menaxherit te prokurimit të saj, pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka vendosur ta cilësojë falsifikimin e dokumentit të ATK-së si devijim të vogël, e që sipas tyre një gjë e tillë nuk ndikon në kushtet e tenderit milionësh, raporton KTV.

Andaj, OSHP-ja ka urdhëruar AQP-në ta respektojë vendimin e Panelit Shqyrtues që lënda të kthehet në rishqyrtim.

Ani pse më 26 prill të këtij viti, ATK-ja e kishte njoftuar AQP-në, se vërtetimi i dërguar për verifikim në këtë institucion nuk korrespondonte me të dhënat e tyre.

“Ne verifikuam në sistem vërtetimet e dërguara nga ju dhe vërtetimet janë në rregull, përveç vërtetimit tatimor të “Fadi Com” Shpk, me....i datës 08.02.2019, përmbajtja e vërtetimit i dërguar nga ju, nuk është në harmoni me vërtetimin e lëshuar nga ATK-ja. Pasi vërtetimi tatimor, sipas sistemit të ATK-së, është lëshuar se tatimpaguesi ka borxhe”, shkruhet në letrën e ATK-së, nënshkruar nga drejtoresha e Departamentit për shërbim të tatimpaguesve.

Një muaj më pas në Agjencinë Qendrore të Prokurimit ka shkuar Njësia e Krimeve Ekonomike, për t’u marrë me dokumentet e falsifikuara, pasi tashmë rasti ishte raportuar në këtë departament nga drejtori i përgjithshëm i Doganave.

“Kërkojmë të na siguroni vërtetimin tatimor (origjinalin) për subjektin “Fadi Com” SHPK me seli në Komunën e Graçanicës, i cili e ka paraqitur këtë vërtetim tek ju kinse nuk ka obligime ndaj ATK-së”, shkruhet në dokumentin e Njësisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.

Kohavisioni ka provuar të vërë kontakt me pronarin e kësaj kompanie, nëpërmjet numrit të telefonit që ajo ka lënë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. 

I prezantuar pa dhënë emrin si njëri nga 3 pronarët e kompanisë, ka mohuar se ka aplikuar për një tender të tillë, derisa më vonë ka thënë se nuk do të flasë për rastin dhe se nuk është e vërtetë që kanë nisur hetimet. 

Në ndërkohë, në Kohavision ka telefonuar, Faton Nisheci, i cili ka thënë të jetë shef i Financave në këtë kompani.

Ai e ka pranuar se i ka dorëzuar në Policinë e Kosovës dokumentet e kërkuara dhe ka insistuar se “Fadi Com”, nuk ka falsifikuar asnjë dokument dhe nuk ka borxhe ndaj ATK-së.

Por, pavarësisht të gjithave, Organi i Prokurimit Publik këto i ka arsyetuar me një fushatë kundrejt këtij mekanizmi që, sipas tyre, po bëhet nga OJQ-të.

“OSHP-ja shfrytëzon rastin të informojë publikisht këto OJQ se vendimmarrja në këtë institucion bazohet vetëm në ligj, procedura dhe rregulla të aplikueshme në Kosovë, në mënyrën më transparente të mundshme si para OJQ-ve, publikut dhe palëve të interesuara. OSHP-ja, në asnjë rrethanë, NUK do të bjerë nën ndikimin e grupeve të interesit, përfshirë palët në procedurë dhe vendimmarrja do të jetë gjithmonë duke u bazuar në ligj dhe procedurë. OSHP-ja me asnjë çmim nuk mund ta bazojë vendimmarrjen e saj në bazë të interesave të caktuara, politikave ditore apo kërkesave të operatorëve ekonomikë”, thuhet në përgjigjen elektronike të këtij institucioni.

OSHP-ja është e vendosur në vazhdimin e procesit, madje ka refuzuar edhe kërkesën e AQP-së, që operatorin në fjalë ta fusë në Listën e Zezë për shkak të këtij falsifikimi.

Një gjë e tillë është kërkuar nga Autoriteti më 09 shtator të vitit 2019.

Por OSHP-ja thotë se në Listën e Zezë nuk mund të futen operatorët për shkak të dëshirave.

“ OSHP-ja nuk amniston asnjë operator ekonomik, sikurse nuk fut në listë të zezë asnjë operator ekonomik sipas dëshirave dhe kërkesave, qoftë të dikujt apo OJQ-ve të caktuara”.